Ish-Blloku, zonë me trafik të kufizuar
Dyndje dhe trafik në zonën e ish-Bllokut
Propozimi pritet të miratohet nga Këshilli Bashkiak
Këshilli Bashkiak pritet të miratojë propozimin për të kthyer Bllokun në një zonë me trafik të kufizuar, sipas burimeve nga ky institucion. Para pak kohësh në një nga mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Tiranës u diskutua rreth mundësisë që zona e ish-Bllokut të kthehet në zonë me trafik të kufizuar. Por, kjo gjë deri më tani ka mbetur thjesht në kuadër të propozimeve pasi ai ende nuk ka kaluar për miratim.
Kufizimi
Nëse ky propozim kalon për miratim dhe merr formën e një vendimi të prerë, pritet që të ketë mjaft kufizime për sa i përket qarkullimit të automjeteve drejt kësaj zone. Burime pranë Bashkisë së Tiranës bëjnë me dije se nëse miratohet, në këtë zonë fillimisht do të lejohen të hyjnë me makinë vetëm banorët dhe punonjësit që zhvillojnë aktivitete të ndryshme tregtare. Ndërkohë që nuk do të ketë kufizim për makinat e policisë, autoambulancat, zjarrfikësit dhe personat me aftësi të kufizuar.
Ndërsa për baret, restorantet dhe zyrat e shumta që ushtrojnë aktivitet në zonën e ish-Bllokut do të mund të furnizohen me mallra vetëm pas vendosjes së një orari të caktuar. Megjithëse deri më tani është thjesht një nismë, pritet të miratohet nga Këshilli Bashkiak, ku do të parashikohet edhe gjoba për shkelësit e rregullave. Aktualisht në këtë zonë gjenden sensorë që kanë bllokuar dy krahë rruge dhe për të gjithë ata që dëmtojnë telekomandën që aktivizon këto pajisje, gjoba është 100 mijë lekë, ndërsa në rast të dëmtimit të bllokuesit ajo është dyfish, 200 mijë lekë.
Dyndje
Strofkëza e të rinjve, zona e ish-Bllokut, është kthyer në oazin e pushimit për shumë prej të rinjve, emigrantëve dhe kalimtarëve të rastësishëm. Qoftë për një kafe apo për një shëtitje, çdo ditë e më shumë kjo zonë po frekuentohet. Madje në të shumtën e rasteve kalimi më këmbë është tejet e vështirë si shkak i trafikut të krijuar nga makinat dhe nga parkimet mbi trotuar. Të gjithë e dimë se po të kalojmë përgjatë rrugëve të zonës së ish-Bllokut do të na kushtojë disa minua rrugë.
Mjaft studentë dhe të rinj zgjedhin këtë zonë vetëm për kafe, ndonëse ata duhet të mendojnë mirë para se të ulen ose para se të porosisin, pasi nga një krahasim i thjeshtë, në qoftë se këto lokale do t’i krahasonim me lokalet që nuk ndodhen në këtë zonë, atëherë do të vëmë re ndryshimin e madh. Ndërsa pranë fakulteteve, ku ndodhen shumë lokale dhe që supozohen të jenë çmime për studentët, nuk funksionon kështu, pasi pothuajse në të gjitha këto lokale çmimet janë sikur të ulesh pranë zonës së ish-Bllokut.
“Këtu duket se të shijon më shumë kafja”, - thotë Berti Ymeri, student pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, dega Histori. Studentë, të rinj qytetarë të thjeshtë me makinat e tyre preferojnë më mirë të konsumojnë një bisedë apo një kafe në zonën e Bllokut sesa gjetkë. Në këtë mënyrë krijojnë kaosin, trafikun dhe zhurmë me lëvizjen e tyre të makinave, pavarësisht se në këtë zonë ka çmime të tjera dhe tejet të kripura.