Procesi i hedhjes së të dhënave në sistemin kompjuterik, drejt fundit
Në fund të tetorit do të ofrohen shërbime më cilësore
Teliti: Përshtatja e sistemit do të përfundojë pas 4 muajsh
Procesi i hedhjes së të dhënave në sistemin kompjuterik është drejt fundit dhe parashikohet që në fund të muajit tetor qytetarëve t’u ofrohen shërbime cilësore në Zyrat e Gjendjes Civile. Ndërkohë që, përshtatja e sistemit pritet të përfundojë pas 4 muajsh. Ky ka qenë deklarimi i dhënë dje nga drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, i cili siguroi nëpërmjet një konference për shtyp në ambientet e Ministrisë së Brendshme se në fund të muajit tetor të këtij viti qytetarët shqiptarë do të kenë nivele shumë të larta në shërbimin e gjendjes civile. Drejtori Teliti informoi gjatë konferencës mbi hapat e projektit “Modernizimi i Shërbimit të Gjendjes Civile”, një projekt i rëndësishëm i ndërmarrë nga qeveria shqiptare, zbatimi i të cilit nisi në nëntor të vitit të kaluar dhe që aktualisht është drejt fundit. Tashmë, sipas tij, ka përfunduar procesi i hedhjes së të dhënave në mbarë vendin, siç ishte parashikuar, në fund të muajit qershor, dhe po punohet me pastrimin, korrigjimin dhe certifikimin e tyre nga punonjësit e Shërbimit të Gjendjes Civile, proces i cili në shkallë vendi është realizuar në masën 95%". Sipas tij, procesi i pastrimit korrigjimit dhe certifikimit të të dhënave pritet të përfundojë brenda muajit korrik 2008. Zbatimi i projektit “Modernizimi i Shërbimit të Gjendjes Civile” nisi në 5 nëntor të vitit 2007, me hedhjen e të dhënave nga regjistrat themeltarë në formatin elektronik. “Për efekt të mbarëvajtjes së punës, hedhja e të dhënave u organizua në 5 grupe, duke pasur për kriter numrin e popullsisë të ZGJC-ve të përfshira në proces, nën dhe mbi 10 000 banoë", - sqaroi Teliti. Ai cilësoi si mjaft të rëndësishëm hapin tjetër të këtij projekti, ndërtimin e softuerit të përditësimit që do përdoret nga çdo ZGJC. Për këtë qëllim, Ministria e Brendshme iu referua përvojës austriake, e cila në tre vitet e fundit është vlerësuar si zgjidhja më e mirë në Evropë. Teliti bëri të ditur se bashkëpunimi me specialistët austriakë për përshtatjen e sistemit ka filluar javën e parë të korrikut dhe do të përfundojë pas 4 muajsh. Ky sistem, sipas tij, përbën dhe bazën e një sistemi të plotë E-Gov. Sipas tij, hapi i tretë në realizimin e këtij projekti është ndërtimi i sistemit qendror dhe rrjetit kompjuterik kombëtar të ZGJC-ve. Ndërtimi i rrjetit kompjuterik, sqaroi ai, po realizohet në dy faza. Faza e parë që përfshiu zyrat në 11 minibashkitë e Tiranës, Bashkinë e Kamzës dhe Komunën e Paskuqanit ka përfunduar. Ndërsa faza e dytë konsiston në ngritjen e rrjetit për Zyrat e Gjendjeve Civile të bashkive dhe komunave të tjera në vend, fazëi ditë pas kësaj, u klasifikuan ofertat e tenderit. Tashmë, - sqaroi z. Teliti - jemi në fazën e nënshkrimit të kontratës me ofertuesin fitues. Ndërkohë, zbatimi i këtij projekti po asistohet nga KE-ja nëpërmjet Projektit të Asistencës Teknike të OSBE-së, dhe nga qeveria norvegjeze nëpërmjet Statistics Norway. Një kontribut të çmuar po jep edhe Banka Botërore nëpërmjet projektit LAMP për komponentin e adresave.
Detaje
Hapi i parë konsiston në hedhjen e të dhënave nga regjistrat themeltarë në formatin elektronik dhe ka filluar zyrtarisht më 5 nëntor 2007
Hapi i dytë në realizimin e këtij projekti është ndërtimi i softuerit të përditësimit që do të përdoret nga çdo ZGJC
Hapi i tretë në realizimin e këtij projekti është ndërtimi i sistemit qendror dhe rrjetit kompjuterik kombëtar të ZGJC-ve
Ndërtimi i rrjetit
Faza e parë që përfshiu zyrat në 11 minibashkitë e Tiranës, Bashkinë e Kamzës dhe Komunën e Paskuqanit ka përfunduar
Faza e dytë konsiston në ngritjen e rrjetit për Zyrat e Gjendjeve Civile të bashkive dhe komunave të tjera në vend
Greva
Shtatë gra në grevë urie në paraburgimin e 313-ës
Prej tri ditësh, shtatë gra të paraburgosura në burgun 313 janë futur në grevë urie. Sipas burimeve zyrtare nga ky burg, gratë kanë refuzuar marrjen e ushqimit, duke listuar edhe pretendimet e tyre lidhur me arrestimet apo gjykimin që po u bëhet. Menjëherë nga stafi i burgut u është krijuar çdo kusht për të ushtruar të drejtën e grevës, ndërkohë që 7 gratë kanë kërkuar të bisedojnë me persona kompetentë që të mund t’i dëgjojnë pretendimet që i kanë lidhur me arrestimet e padrejta siç i konsiderojnë ato, si dhe gjykim jo të drejtë. Një ndër shtatë gratë e paraburgosura që refuzon marrjen e ushqimit, është edhe e pandehura Albana Lazaj, e akuzuar për vjedhje me anë të mashtrimit. Kjo shtetase mashtroi familjarët e Emiljano Shullazit dhe Ferhatit se kundrejt një shume të konsiderueshme eurosh, do mundësonte lirimin e tyre nga burgu, me pretendimin se një prej gjyqtarëve e kishte kushëririn e saj. Greva e urisë së nisur në seksionin e grave të paraburgosura është e dyta në burgun 313, pas asaj të nisur disa javë më parë nga Arian Selimi, i dënuar për “trafik ndërkombëtar droge”.
Malësi e Madhe
Plagoset aksidentalisht me lëndë plasëse 30-vjeçari
Një i ri nga fshati Aliaj në Malësinë e Madhe është plagosur aksidentalisht me lëndë plasëse. Sipas burimeve zyrtare policore, Landi Shabanaj, 30 vjeç, u plagos teksa punonte për të hapur një pus pranë shtëpisë së tij. Sipas të njëjtave burimeve policore, mësohet se 30-vjeçari është dërguar në spital, ku ka marrë mjekim dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Itali
Aksidentoi të riun italian, në kërkim shqiptari
Një shtetas shqiptar është shpallur në kërkim nga policia italiane për vrasjen e një 17-vjeçari nga Xhenova. Policia e qytetit ka publikuar emrin dhe foton e Ylber Ndoit, 22 vjeç, i cili kishte shtypur me makinë adoleshentin më 1 korrik. Ndoi drejtonte një makine Audi A3 të vjedhur dhe ndiqej nga policia në momentin kur devijoi korsi dhe përplasi për vdekje 17-vjeçarin, që udhëtonte me motor. Por, shqiptari arriti të largohej, duke humbur gjurmët pas aksidentit.
Përplasja
Aksident në Fushë-Krujë – Lezhë, vdes 40 vjeçari
Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në superstradën Fushë-Krujë – Lezhë në orët e vona të dy netëve më parë. Një autoveturë tip Opel me targa italiane që po udhëtonte në drejtim të Tiranës është përplasur me një automjet tip Benz me targa të kryeqytetit, i cili ishte duke ecur në kahun e kundërt. Drejtuesi i Opelit, 40-vjeçari Alvis Bana nga Tirana, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa dy pasagjerët që udhëtonin me të kanë marrë dëmtime të lehta. Policia e Krujës që shkoi në vendin e ngjarjes, ka ndaluar drejtuesin e Benzit, por ajo nuk ka sqaruar më tej se i kujt ka qenë faji i këtij aksidenti, pasi të dyja automjetet kanë qenë me shpejtësi.