Gjykata lë në burg dëshmitarin e bandave të Durrësit
Mbetët në burg dëshmitari i bandave të Durrësit, Edmond çuka. Togat e zeza kanë vendosur ta lënë në burg “çuken”, nën akuzën e dëshmisë së rreme. çuka u arrestua Katër ditë më parë në sallën e gjyqit. Ai u thirr për dëshmi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për të faktuar vrasjen e shtetasit Dritan Disha, në muajin korrik të vitit 2000. Në deklarimin e tij para gjykatës, çuka tha se nuk mbante mend emrat e personave të cilët e thirrën në muajin korrik. Disa muaj më parë, në procesin gjyqësor ndaj Bujar Gashit, ai kishte deklaruar se disa anëtarë të Bandës së Durrësit e kishin faturuar për t’i çuar në vendin ku ata kanë ekzekutuar shtetasin Dritan Disha. Ndërsa, në seancën e katër ditëve më parë, dëshmitari nuk ka preferuar të flasë se kush ishte personi që e faturoi. Pas kësaj, prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini, ka urdhëruar arrestimin e dëshmitarit, nën akuzën e “dëshmisë së rreme”. Prokurori Martini i është drejtuar më pas gjykatës, duke thënë se avokatët e të pandehurve, si dhe familjarë të tyre, u bëjnë presion dëshmitarëve të bandave të Durrësit. Dëshmitari çuka, sipas akuzës, është ankuar gjatë javës së fundit se po shantazhohet nga disa familjarë të të pandehurve dhe ka kërkuar të mos dëshmojë në gjykatë. Oficerët e Policisë Gjyqësore të Krimeve të Rënda dhe të Policisë së Shtetit kanë kontaktuar me dëshmitarin dhe i kanë kërkuar që forma ankuese e tij të shndërrohet në një kallëzim penal. Por dëshmitari nuk ka pranuar kurrsesi dhe ka deklaruar se do të mbajë të gjitha përgjegjësitë ligjore për dëshminë që do të jepte në gjykatë.
Megjithatë, gjatë paraqitjes së tij para togave të zeza dhe i pyetur nga prokuroria, çuka ka preferuar të deklarojë se nuk mbante mend asnjë gjë, ndryshe nga sa kishte deklaruar në procesin gjyqësor ndaj Bujar Gashit. I ndodhur në këto kushte, organi i prokurorisë urdhëroi arrestimin e çukës dhe ka bërë gati dokumentet për paraqitjen e tij për masë sigurimi nën akuzën e “dëshmisë së rreme”.
#