Del Boske optimist: Spanja është në nivelin e Gjermanisë
Në prag të sfidës kundër Gjermanisë, e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Botës, trajneri i Spanjës, Visente del Boske, shfaqet optimist për shanset që ka skuadra e tij për të arritur në finale. “Më parë, kur luanin kundër Spanjës, gjermanët dukeshin si skuadër e një niveli tjetër. Tashmë, pavarësisht nga ajo që do të ndodhë në fushën e lojës, për fat të mirë situata ka ndryshuar”, shpjegoi drejtuesi i stolit të “Furisë së Kuqe” për agjencinë gjermane “Dpa”. Ai flet vetëm me superlativa për kundërshtarët, duke analizuar elementët e veçantë të skuadrës së Joakim Lëv: “Përfaqësuesja gjermane ka në kontingjentin e saj shumë lojtarë të Bajernit, ashtu sikundër skuadra e viteve ’70, e cila ishte shumë e fortë. Në mesfushë kanë Khediran dhe Shvajnshtajger, të cilët janë çelësi i funksionimit të lojës së skuadrës. Më pas kanë lojtarë si Lahm, ëzil dhe Klose, i cili është i jashtëzakonshëm”. Në përballjen e fundit mes dy skuadrave, atë të luajtur në finalen e Euro 2008, Spanja e ka mposhtur Gjermaninë. Por, në krahasim me dy vjet më parë, gjermanët kanë ndërruar mjaft lojtarë, duke afruar të rinj të talentuar. “Kanë përfshirë në Kombëtaren ‘A’ Boateng, ëzil, Myler, ndërmorën ndryshime të mëdha dhe kjo punë dha frytet e saj. Me apo pa mesfushorin Mikael Balak, ata kanë arritur të ndërtojnë një lojë të qëndrueshme, kanë bërë vërtet një punë të shkëlqyer”, përfundoi Del Boske. Ndërkohë, kapiteni Iker Kasiljas ka theksuar rëndësinë e ndeshjes së sotme, duke deklaruar se nuk do të pajtohej me vendin e katërt. “Populli spanjoll pretendon fitoren, dëshiron Kupën e Botës. Sfida me Gjermaninë është më e rëndësishmja në historinë e kombëtares, madje më shumë sesa finalja e Euro 2008”. Spanja kërkon finalen e parë historike në botëror, ndërsa rezultati më i mirë në këtë aktivitet është vendi i katërt në vitin 1950. “Nuk kam ardhur deri këtu për t’u renditur i katërti”, përfundoi “gardiani”.
Përgatitjet rezervuan një surprizë të pakëndshme për trajnerin spanjoll: sipas të gjitha gjasave, çesk Fabregas nuk do të jetë i gatshëm për sfidën me Gjermaninë. Mesfushori i Arsenalit pësoi një goditje në kërcirin e këmbës së djathtë, në të njëjtën kockë ku kishte pësuar frakturë tre muaj më parë në ndeshjen e parë çerekfinale të Champions League kundër Barcelonës. Kontrollet mjekësore përjashtuan frakturën, por në zonën mjaft delikate për Fabregas është shfaqur një hematomë me përmasa të mëdha.
#