Del Piero: Mora hak ndaj kritikave
23/05/2005 Si gjithë skuadra bardhezi, pas ndeshjes me Livornon ka folur edhe kapiteni i Juventusit, Alesandro Del Piero: “Sezonet e fundit kanë qenë të vështira për mua, për shkak të dëmtimeve, por këtë vit kam luajtur më shumë. Është një hakmarrje personale për mua, sepse kam marrë shumë kritika në të kaluarën, por dua të falënderoj edhe të gjithë ata që më kanë mbështetur”. Kohë më parë, Kapelo ka thënë se në fund të kampionatit Del Piero do ta falënderonte: “E kam falënderuar Kapelon sepse është treguar një trajner i madh, ka bërë zgjedhjet e duhura dhe na ka udhëhequr drejt titullit. Por nuk besoj se është ai protagonisti i suksesit tonë, ashtu si nuk jam as unë. Është një fitore e skuadrës, e drejtuesve, e lojtarëve si Montero e Ferrara, që do të lënë Juventusin pas një karriere të shkëlqyer. Jam shumë i lumtur për këtë titull”, përfundon Del Piero, ndërkohë që Luçiano Moxhi lavdëron skuadrën dhe i lëshon një “thumb” Interit: “Na shitën Kanavaron? Të gjithë bëjnë gabime...”.