Rama-Meta, incident në Pragë
Aristir Lumezi
Debatet për zgjedhjet në Shqipëri mbërrijnë në kongresin e socialistëve evropianë. Në Pragë ka nisur që dje punimet kongresi i partive socialiste evropiane që po diskuton çështje të së majtës dhe të ardhmes së saj, por dhe çështje të statutit të saj. Gjatë një dreke pune, ku u diskutua dhe problematika që prek vendet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektiva e tyre evropiane, e morën fjalën dhe kryetarët e dy partive të majta shqiptare, Edi Rama dhe Ilir Meta. Pasi kanë folur, kryetari i Partisë Socialiste bullgare, Sergey Stanishev dhe presidenti serb, Boris Tadiç, fjalën e ka marrë kryetari socialist Edi Rama. Ai i ka bërë një ekspoze situatës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe ka argumentuar qëndrimin e PS-së jashtë Parlamentit. Rama ka përsëritur akuzat për manipulim të zgjedhjeve nga qeveria e kryeministrit Berisha dhe ka këmbëngulur në hapjen e kutive të votimit. Pas Ramës, fjala i është dhënë kreut të LSI-së, njëkohësisht zv.kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, Ilir Metës. Sapo Meta ka nisur fjalën e tij, kryesocialisti Rama është larguar nga salla duke e braktisur atë. Ky veprim ka bërë përshtypje te pjesëmarrësit e delegacioneve të tjera që po ndiqnin fjalën e Metës. Kreu i LSI-së u ka shpjeguar homologëve socialistë se “nëse demokracia shqiptare vazhdon të ketë probleme, kjo vjen për shkak të mungesës së tolerancës politike që u vu re dhe në këtë sallë”. I pyetur nga “Panorama” për këtë incident, kreu i LSI-së shprehu keqardhje për qëndrimin e Edi Ramës. “Shpreh keqardhje për këtë gjest jo tolerant që la përshtypje të hidhur te homologët socialistë evropianë. Megjithatë dua të shpreh edhe njëherë vullnetin për gjetjen e gjuhës së dialogut, por duke mos dalë mbi vendimin e gjykatave”, u shpreh kreu i LSI-së për gazetën tonë.
Deklarata
Ndërkohë zyra e shtypit e Partisë Socialiste njoftoi dje se Kongresi i partive socialiste evropiane ka miratuar një deklaratë, sipas së cilës, mbështet qëndrimin e bojkotit të socialistëve shqiptarë dhe i kërkon qeverisë të gjejë zgjidhje për këtë situatë. “Kongresi i PSE i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe Koalicionit Qeverisës të respektojnë liritë dhe të drejtat kushtetuese, duke garantuar transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit, përmes një hetimi parlamentar që plotëson të gjitha kërkesat legjitime të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Kongresi i PSE i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe Koalicionit Qeverisës të gjejnë një zgjidhje, e cila do t’i jepte fund krizës politike dhe do të mundësonte kthimin e Partisë Socialiste në Parlament”, shprehet deklarata e PSE-së sipas zyrës së shtypit të PSSH-së. Por, zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, i cili është pjesë e delegacionit të LSI-së në Pragë, i kontaktuar nga “Panorama” hodhi poshtë miratimin e një deklarate të tillë. Madje sipas tij, “kongresi i socialistëve evropianë i kërkoi deputetëve të PSSH që të ndalojnë bojkotin dhe të hyjnë në Parlament për të zhvilluar aty dialogun politik”.