Ruçi: Ku isha unë dhe Berisha më 8 dhjetor ‘90
Mentor Nazarko
Kryetari i Asamblesë Kombëtare socialiste Gramoz Ruçi, gjatë një interviste në emisionin “Antinomia”, të gazetarit të njohur Mentor Nazarko në “Koha Tv”, i përgjigjet akuzave të kryeministrit Berisha në adresë të tij por dhe të PS-së. Ai shpjegon se më 8 dhjetor të 1990, kur nisën lëvizjet studentore, Sali Berisha nuk ishte as protagonist dhe as mbështetës i studentëve.
Zoti Ruçi, si do ta përkufizonit situatën politike në vend sot?
Nuk kam asnjë përkufizim të veçantë, përkufizimi është i qartë, aktualisht Shqipëria po përjeton një krizë treplanëshe, është në rrafshin politik, institucional dhe në planin ekonomik. Është në planin politik, pasi demokracia funksionale është pozitë-opozitë, pasi kemi një ngrirje të këtyre marrëdhënieve tregon më së qarti se kriza jo vetëm është politike, por në vend që të shihet dritë në fund të tunelit për ta përmirësuar këtë klimë, konstatojmë për fatkeqësinë e vendit.
Më fal, kush do ta sjellë këtë dritë në fund të tunelit se edhe ai është bllokuar tani...?
Edhe kur vallëzon duhet një partner! Kështu që krizën në fund të tunelit dhe përgjegjësinë dhe vullnetin politik për zgjidhjen e saj në radhë të parë duhet ta ketë maxhoranca, gjë që jo vetëm nuk duket, por dhe çdo ditë që kalon po përkeqësohet si me artikulimet e zhvillimeve politike, por mbi të gjitha dhe me qëndrimet që maxhoranca po mban po e vështirëson këtë klimë. Kriza është institucionale sepse sot kur kanë kaluar kaq muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit, ende kemi një parlament jo funksional, kemi një pushtet që ka kapur dhe e njëson veten me shtetin...
Parlamenti po funksionin zoti Ruçi, siç thotë dhe zonja Topalli, ka miratuar 54 ligje të rëndësishme..?
Nuk e di nëse mund të quhet normal funksionimi i një parlamenti monopartiak, ky është vetëm Parlamenti shqiptar, që as për ju gazetarët dhe analistët nuk përbën më lajm.
Ju thoni që është pacient dhe nga ana njerëzore dhe jo vetëm si politikan..?
Me ato që ai ka artikuluar dhe vazhdon të artikulojë, sigurisht që nuk është pacient politik, por dhe në planin njerëzor. Kështu që nuk mund të bëhet fjalë për një Shqipëri që lulëzon të doktorit, që ka një zhvillim ekonomik dy shifror etj.
Ju zoti Ruçi, për cilën nga krizat jeni në rrugë, atë ekonomike, politike apo institucionale?
Ne kërkesat tona i kemi bërë publike disa muaj më parë, të cilat maxhoranca aktuale nuk i ka përfillur. Ne po protestojmë dhe kemi kushtëzuar praninë tonë në parlament për ato standarde që duhet t’i ketë çdo vend demokratik, për lirinë e votës, të shprehjes, të sipërmarrjes, për luftën kundër korrupsionit dhe nga krahu tjetër, ku flitet për rrëzime muresh të Berlinit, pas 20 vjetësh, sot është ngritur një mur mes opozitës dhe pozitës e cila nuk pranon të bëjë transparencën e votës së shqiptarëve.
Kujt ia kërkoni këtë transparencë, ia kërkoni atij që e ka sjellë krizën, Berishës, ka një kontradiktë këtu?
Ne jemi parti e një vendi demokratik, dhe i kërkojmë me rrugë dhe mjete demokratike. Nuk është në dëshirën tonë të kemi një kundërshtar të tillë. Do njëra palë apo nuk na do, ne jemi të dënuar të bashkëpunojmë. Maxhoranca dhe opozita duhet të ulen dhe të diskutojnë lidhur me këto kërkesa. Ne gjykojmë dhe vlerësojmë se në kërkesat tona nuk ka asgjë të jashtëligjshme. Plotësimi i tyre do të thotë plotësim i atyre kushteve dhe detyrave që ka caktuar dhe BE për integrimin e vendit.
Mos vallë keni gabuar në adresë, pasi ju thoni të hapen kutitë, ndërkohë që hapja bëhet ose nëpërmjet vendimit të një Gjykate Kushtetuese, ose përmes një ligji të ri në parlament. Ju pse nuk i keni ndjekur të gjitha rrugët që kërkon logjika juridike?
Të dyja rrugët janë të mundshme. Ne jemi forcë parlamentare dhe kërkesa jonë plotësohet duke miratuar enkas një ligj që të mos jetë vetëm për këto zgjedhje, i cili do të miratojë në vazhdimësi zgjedhjet që janë zhvilluar dhe ato që do të vijnë. Ne e kemi ligjin gati dhe firmat gati dhe në momentin që maxhoranca do ta pranojë këtë, ne do të shkojmë të japim votat tona në parlament dhe të kthehet normaliteti.
Çfarë parashikon ky projektligj?
Një ligj hetimor vetëm për zgjedhjet. Kemi 18 vjet që bëjmë zgjedhje dhe 18 vjet me kundërshtime. Ne nuk kërkojmë pushtet në tavolinë.
Edhe ju keni përgjegjësi për standardet?
Absolutisht, ne nuk e heqim përgjegjësinë nga vetja.
Ku ndryshon ky ligj nga hetimi aktual në komisionin hetimor parlamentar?
Ndryshimi konsiston në 2-3 pika. E para, pakica duhet të ketë maxhorancën në këtë komision, të ketë drejtimin e komisionit dhe mbi të gjitha duhet të ketë vullnetin politik, që në objektin që do të ketë ky komision të mos ketë asnjë kufizim në hetimin e të gjithë procesit zgjedhor, kuti votimi, procesverbale votimi. Këtë dhe vetëm këtë nuk pranon Sali Berisha.
Edhe ju e dini, sepse keni pasur 20 mijë komisionerë, keni vënë dorë dhe në votat e aleatëve tuaj?
Mund të ketë ndodhur dhe kjo, prandaj themi hajde ta vërtetojmë edhe këtë akuzë për ne. Nëse do të ketë ndodhur, ne kemi kurajën të kërkojmë ndjesë publike.
Aktualisht, ndjeni ju ndonjë përgjegjësi për situatën në të cilën ndodhet vendi, opozita në rrugë dhe përshkallëzim të situatës politike?
Nuk është vullneti dhe dëshira jonë dhe nuk e përjetojmë me gëzim që jemi jashtë institucioneve dhe në rrugë. Ne jemi të interesuar të kthehet normaliteti politik një orë e më parë. Kjo nuk është në dorën tonë.
I keni fituar ju zgjedhjet apo jo?
Ka disa këndvështrime për të dhënë vlerësimin për këtë pyetje. Fitimi i zgjedhjeve në një vend demokratik janë vota, janë mandatet për të qeverisur. Parë nga votat dhe mandatet. Me vota PS është mbi 10 mijë vota nga PD. Pra moralisht dhe politikisht PS është fituese e këtyre zgjedhjeve. Parë nga mandatet PD është fituese. Nga rrjedhin këto mandate, unë do të thosha nga dy elementë; e para, nga manipulimi i zgjedhjeve dhe e dyta, nga trukimi i zgjedhjeve.
Ku janë manipuluar zgjedhjet, në çfarë zonash?
Nëse do të shikonim rezultatet e qyteteve të Shqipërisë nga Kopliku në Konispol dhe të presupozojmë sikur të mos kishte votime fare në zonat rurale, PS do të kishte 72-73 mandate.
Zoti Berisha po akuzon për kupolë mafiozo-puniste, për origjinën e disa deputetëve, ish anëtarë të nomenklaturës etj. Nuk ka pak të drejtë zoti Berisha se disa figura kryesore në PS kanë lidhje me të shkuarën komuniste të vendit?
Sali Berisha i shantazhon të gjithë, i anatemon, u bën biografinë të gjithëve, por asnjëherë nuk ka thënë se kush është ai vetë. Cili është ai që vendos togfjalëshin punisto-mafioz, unë do të thosha se punisti i parë në këtë vend është Sali Berisha dhe gjithë këtë akuzë e bën që të harrojë veten se kush ka qenë. Nëse do të flasim për mafiozllëk, atëherë kryemafiozi i parë në këtë vend, politikisht, moralisht, financiarisht është Sali Berisha.
Juridikisht është? Sepse këto termat e tjerë nuk kanë ndonjë dëm të madh?
Absolutisht po. Nëse do të flasim për 8 dhjetorin, Sali Berisha do që të vjedhë 8 dhjetorin, si iniciues dhe inspirues i tij. Ai do të vjedhë 12 dhjetorin. Ai nuk ka qenë këtu më 8 dhjetor, por ka qenë jashtë shtetit.
Po ju, ku ishit më 8 dhjetor?
Unë më 8 dhjetor kam qenë në Tepelenë. Dhe unë nuk pretendoj se kam qenë iniciues dhe inspirues i lëvizjes studentore. Jo! unë nuk inspiroj se kam qenë iniciues më 12 dhjetor. Por ama atje ku kam qenë më 12 dhjetor, nëse do t’i referohemi arkivave të shtetit, kam kërkuar që në asnjë mënyrë të mos përdoret forca ndaj studentëve dhe kam kërkuar dialog me studentët dhe kam kërkuar që unë si përfaqësues i asaj partie në Tepelenë të dialogoj me studentët e Tepelenës. Atëherë ky njeri që me dokumentin e PPSH në xhep, në 8 apo në 12 sot e kësaj dite e quan veten hero i demokracisë kur ka dokumente, që janë njerëzit e gjallë, ata që bënë lëvizjen studentore, janë dëshmitarët okularë që kur e dëgjuan Sali Berishën, dhe studentët i kërkuan që t’i përfaqësonte në kontaktet me institucionet e atij shteti, atëherë Sali Berisha u tha që unë përfaqësoj veten, pra përfaqësonte forcën e tij politike, PPSH-në, nuk përfaqësonte PD apo lëvizjen studentore. Njerëzit janë të gjallë dhe e pohojnë këtë. Duhet të dimë se kjo lëvizje studentore krijoi dhe një grup nismëtar të PD-së dhe s’ka qenë Saliu drejtues i këtij grupi.
Ai u tregua më i mençur se ju, ishte në PPSH dhe kaloi në anën tjetër të barrikadës, ndërsa ju ndenjët aty..
Ai u tregua më hilanjoz se sa ne, ne u treguam më të vërtetë. Unë jam ky që jam dhe e pranoj çfarë kam qenë dhe çfarë kam bërë. Ky njeri nuk pranon as çfarë ka qenë dhe as çfarë ka bërë. Sot e kësaj dite ai më anatemon mua, ndërsa unë i kam qëndruar këtij njeriu ballë për ballë dhe kam kurajën morale, politike dhe shoqërore ta shoh këtë njeri në sy dhe t’i them ja ku jam. Atëherë ky njeri thotë se në 8 dhjetor rrëzoi Murin e komunizmit, më 12 dhjetor për krijimin e PD-së dhe përdor për shembjen e komunizmit 22 marsin kur erdhi ai vetë në pushtet. Sa data ka Shqipëria që u përmbys komunizmi?
Nga e ka zoti Berisha maninë e bërjes së biografive?
E ka nga Partia e Punës, ndërsa Berisha do të jetë politikani i fundit që do të reformohet në këtë vend.
Ai ju ka akuzuar ju për terrorist duke iu referuar masakrës së Shkodrës. A ka ndonjë të re në këtë çështje?
Për të rrëzuar një sistem në 31 mars për fat të keq në demokracinë shqiptare janë vrarë 4 vetë dhe për këtë unë jam përgjigjur në kohën e duhur akuzave. E reja është ‘97 që u dogj gjithë Shqipëria, e reja është Gërdeci ku pati dhe viktima. A ka më akt terrorist se ky? Kushdo që do të kishte krijuar atë luftë civile në ‘97, apo të kishte tentuar të vinte në pushtet me grusht shteti në ‘98 apo dhe me Gërdecin, nuk do të guxonte të ishte më në politikë dhe aq më pak në pushtet.
Ai është në pushtet dhe me ndihmën tuaj nga pak?
Po të ishte në dorën tonë, sigurisht ai nuk do të ishte në politikë që në ‘97. Por ishin organet e drejtësisë që nuk e bënë detyrën e tyre, pasi ai u thirr dhe nuk iu përgjigj asnjë thirrjeje të Prokurorisë. Atij iu hoq imuniteti në Parlament dhe nuk u paraqit një herë në prokurori. Unë nuk e kuptoj si ka mundësi që një njeri që ka bërë kaq shumë tragjedia guxon të akuzojë të tjerët. Nëse Sali Berisha ka dhe një fakt për Gramoz Ruçin, unë jam i gatshëm dhe sot të përgjigjem në organet e drejtësisë.
Ai ju akuzon juve se i jeni shmangur një herë drejtësisë, madje se keni ikur për në Greqi i veshur si grua..?
Nuk dua të bie në nivelin e atyre gjërave që ai akuzon. Nga treva jonë, Labëria fustanella dhe palla kanë qenë bashkëudhëtare në jetën e tonë. Është një gjë e pamundur dhe është mashtrim i opinionit publik për ne politikanët që këto akuza të jenë të vërteta, për shkak se nuk i fshihemi dot popullit. Meqë unë zura në gojë pallën, unë i them këtij palle të mos pëllasë më dhe të mos mashtrojë. Gramoz Ruçin aty e ka pasur dhe nuk i është fshehur asnjëherë, siç është fshehur Sali Berisha para drejtësisë. Unë publikisht i jam përgjigjur akuzave ndaj meje në gjykatë në Shkodër dhe përmes mediave.
Si e gjykoni ju këtë festë që do të zhvillohet në Tiranë?
8 Dhjetori i 2009 dhe 8 dhjetori i 1990 nuk është e njëjta gjë. Ai është i tmerruar nga protesta e opozitës shqiptare. Ai miting e ka tmerruar Berishën dhe pas tij, ai përdori zhargonin e rëndë dhe ndaj atij mitingu Berishës i ka humbur edhe Pini edhe Puku dhe nuk korrigjohet më. 8 dhjetori ishte një lëvizje studentore ku Berisha nuk ishte protagonist. Madje 8 dhjetori nuk është vit jubilar, por është një antimiting. Saliu dhe Meta duan të tregojnë se çfarë mbështetje kemi ne. Janë bërë listat në të gjithë Shqipërinë për të ardhur në Tiranë dhe kërcënohen me largim nga puna.