Del Piero, e ardhmja drejt Amerikës
Menaxheri i Alesandro Del Pieros ka treguar se legjenda e Juventusit do të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në verën e vitit të ardhshëm. Kontrata e 37-vjeçarit me bardhezinjtë skadon në fund të këtij sezoni dhe atij nuk do t’i ofrohet një marrëveshje e re për qëndrim në gjigantin torinez. Sulmuesi ka shprehur interesimin e tij që të luajë në Angli, mirëpo menaxheri Enzo Bronzeti beson se ish-lojtari italian do të kalojë në Major League Soçer ku është objektiv i disa klubeve amerikane. “Mendoj se do të shkojë atje. Futbolli amerikan është në rritje. Disa ditë më parë në Itali kishin ardhur për vizitë drejtues të skuadrave si Siatëll, Çikago dhe Galaksi. Del Piero gëzon respekt të madh në Shtetet e Bashkuara. Për në Angli ose Spanjë, nuk besoj se do të ndodh diçka”, deklaroi Bronxeti për mediat italiane.