E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Piero konfirmon dashurinë për Juventusin

Nga Express më 27 shkurt 2011 në ora 12:01

Kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero ka mohuar spekulimet se bisedimet rreth kontratës së re të tij me klubin kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve në çështjet financiare.

Ikona e Bianconerëve ka kontratë me klubin deri në qershor dhe ende nuk është pajtuar për vazhdimin e qëndrimit të tij në Torino. Sulmuesi 36 vjeç është në Juventus nga viti 1993 dhe ka shënuar 280 gola në 667 paraqitje.

Ai insiston se nuk ka ndërmend të kushtëzojë klubin dhe në fakt do të pranojë të vazhdojë kontratën për çfarëdo shume që i ofrohet.

“Mendoj se ka ardhur koha të flas drejtpërdrejtë me ju që më përcillni me aq pasion në aq shumë vite. Ka kohë që lexoj se emri im përflitet lidhur me diçka që nuk ka të bëjë me mua dhe kjo më zemëron. Motori i karrierës sime ka qenë gjithmonë dashuria për futbollin, për fanellën e Juventusit dhe tifozët e tij. Lidhjet e mia me këto ngjyra nuk mund të maten me shifra”, tha Del Piero gjatë një video-mesazhi të publikuar në ueb faqen e tij zyrtare.

“Kontratën time të parë me Juventusin e kam nënshkruar në letër të bardhë dhe jam i gatshëm që të tillë ta finalizoj edhe këtë, që do të jetë e fundit. Nuk është çështje parash, kam fituar shumë në jetën time, ndërsa kam mundur të marr edhe më tepër nëse do të kisha pranuar disa oferta të caktuara. Kam biseduar me presidentin (Andrea Agnelli) jo rreth çështjeve financiare, por rreth gatishmërisë sime të jem në dispozicion për sezonin e ardhshëm”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›