Vetëm Messi më i mirë se Pato

Antonio Cassano ka theksuar se Alexandre Pato është njëri prej futbollistëve më të mirë në botë dhe vetëm sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, e tejkalon atë.
Messi fitoi çmimin e futbollistit më të mirë në botë për vitin 2010 në janar, ndërsa Pato nuk ishte i përfshirë as në listën prej 23 futbollistëve. Po ashtu nuk ishte pjesë e Kombëtares braziliane në Kampionatin botëror 2010.
Megjithatë, Cassano i cili iu bashkua Milanit në janar pas mosmarrëveshjes me presidentin e ish klubit të tij Sampdoria, Riccardo Garrone, ka lavdëruar talentin e sulmuesit brazilian.
“Pato është më i forti nga të gjithë, i kam thënë edhe atij”, tha Cassano për Corriere dello Sport.
“Vetëm një futbollist është më i mirë se ai, Messi. Ata të dy do të përshtateshin shumë mirë së bashku dhe do të ishte e shkëlqyeshme t’i shihnim ndonjëherë në një ekip”, shtoi ai.
Të hënën Milan pret Napolin në përballjen e dy skuadrave të para nga Serie A, që do të sjellë duelin e sulmuesve Edison Cavani i Napolit - që deri më tani ka shënuar 20 gola - me yllin e Rossonerëve, Zlatan Ibrahimoviç (13) dhe Paton (10), ndërsa Cassano është i sigurt se kush është më i mirë.
“Ibrahimoviç – Cavani, kush është më i fortë? Të mos bëjmë shaka. Çfarë pyetje është kjo? Cavani është futbollist i mirë, por Ibrahimoviç i takon një kategorie tjetër”, përfundoi Cassano.