Del dokumenti që rrëzon “alibinë” e Alibeajt për Gërdecin
Lorenc VANGJELI
Mbas dy javësh heshtjeje, i vënë nën akuzë konkrete, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, mbrohet duke gënjyer. Në një intervistë të dhënë për BBC, ai mundohet të anashkalojë akuzat direkte se është njëri nga autorët e gjithë akteve juridike që paraprinë tragjedinë e Gërdecit, duke komentuar se sulme të tilla i vijnë nga një shtyp i pozicionuar qartësisht majtas. Dhe më pas vazhdon edhe më tej, kësaj radhe duke gënjyer hapur dhe qartësisht se detyra e mëparshme që ka mbajtur, e ka detyruar që të ndiqte dhe një komponent legjislativ: “...atje ku konstatoheshin që kishte mangësi të akteve ligjore apo vakum ligjor, që duhet të rregullojnë një shtet ligjor, një shtet që vepron nën ombrellën e ligjit, do të duhej të jepte këshillime juridike, kjo ka ndodhur jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera, gjithmonë në fokusin për të parë që procedurat ligjore apo nënligjore lejonin shtigje hipotetike për veprimtari korruptive”. Nuk mohon pjesëmarrjen e tij në procesin e hartimit të ligjeve për Gërdecin, por shton se një gjë të tillë e ka bërë edhe në shumë raste të tjera. Nga ky pohim të llojit, rregullova vetullat, por nxora sytë, Alibeaj konsumon dy gafa të jashtëzakonshme: e para askund në rregulloren e veprimtarisë së departamentit që drejtonte nuk i jepet e drejta për të shkruar ligje dhe, e dyta, e gjithë veprimtaria e tij detyrimisht duhej t´i raportohej eprorit të tij direkt, Kryeministrit Sali Berisha. Ç`ka e nxjerr Alibeajn ballë për ballë pikërisht me të: e ka vënë në dijeni kryeministrin për punën që bënte, ndërkohë që ky i fundit, jo vetëm një herë mbrohet nga akuzat ndaj tij duke pretenduar se nuk dinte asgjë për Gërdecin? Mes Shilës dhe Karibdës, Alibeaj ndodhet tani në mes të kërkesës që pritet të zyrtarizohet nga Prokuroria për t´u marrë në pyetje dhe mërisë së kryeministrit, të cilit ai po i shemb alibinë shumëmujore, nuk isha aty, nuk dija gjë!
Dokumenti i radhës, VKM e shkurtit 2006
MAPO ka siguruar vendimin e qeverisë shqiptare të datës 15 shkurt 2006, me numër 94, i cili në asnjë rresht të tillë, nuk i jep të drejtë drejtuesit të departamentit të ndërhyjë, në të gjitha rrethanat, në procesin e shkrimit dhe hartimit të ligjeve. Ky vendim, natyrisht është i firmosur nga Kryeministri Sali Berisha. Ai është një rregullore për funksionin dhe procedurat e kontrollit të brendshëm administrativ dhe antikorrupsion të Këshillit të Ministrave. Ka 23 nene. Sipas kësaj rregulloreje, misioni i departamentit është “...të kryejë verifikimin (hetimin administrativ) e zbatimit të ligjshmërisë dhe/ose kallëzimeve për praktika abuzive, korruptive a arbitrare, të identifikojë punonjësit e administratës publike, të cilët me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore/nënligjore në fuqi, të përgatisë rekomandime për çështjet përfshi dhe llojet e masave ndaj autorëve si dhe të ndërgjegjësojë institucionet publike në luftë kundër korrupsionit”. Rregullorja i jep të drejtë departamentit të kontrollojë të gjitha ministritë, institucionet qendrore në varësi të kryeministrit a ministrave, administratës së prefektëve si dhe shoqëritë tregtare me kapital pjesërisht a tërësisht shtetëror. Departamenti ka të drejtën – gjithmonë sipas të njëjtës rregullore – të ekzaminojë praktikat dhe procedurat e punës për identifikimin, zvogëlimin dhe parandalimin e mundësive për korrupsion, të verifikojë ligjshmërinë e akteve administrative dhe të bëjë propozime pranë kryeministrit të masave për çështjet e shqyrtuara. I vetmi shërbim këshillimi që mund të bënte departamenti, është ai për seminare me nëpunës civilë dhe ky, madje, në bashkëpunim me departamentin e shërbimit civil. Ky fakt – të bëjë propozime përpara kryeministrit – e ndalon Alibeajn e djeshëm që të legjitimojë punën e tij përballë këshilltarit juridik të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe ta “këshillojë” atë. Gjithë pjesa tjetër e rregullores kodifikon procedurën e kontrollit që mund të ushtrojë ky departament.
Mbrojtja evazive direkt godet kryeministrin
Vetëm neni i fundit i rregullores, me një gjykim të sforcuar, mund të krijojë një hapësirë për përfshirjen e ish-luftëtarit legal antikorrupsion në çështjen e Gërdecit. Neni 23 qartëson se nëse mbas një akti kontrolli vërehen se “vendimet, urdhrat... nuk përputhen me aktet ligjore në fuqi... në aktkontroll përfshihet dhe rekomandimi për shfuqizimin e tyre... Rekomandimi i dërgohet kryeministrit”. Alibeaj duhet të saktësojë nëse ka bërë një kontroll të tillë në Ministrinë e Mbrojtjes – gjithmonë të lidhur me çështjen e Gërdecit - dhe nëse ka pasur probleme në këtë dikaster dhe nëse i ka raportuar një gjë të tillë kryeministrit. Duke marrë parasysh në një rast të tillë, edhe faktin se në këtë mënyrë, përfshin direkt Berishën në çështjen e Gërdecit. Kjo rregullore që përcakton se kur vihen re probleme në akte ligjore, “relacioni i rekomandon kryeministrit nevojën për ndryshime së bashku me sugjerimet për ndryshime në aktet përkatëse”. Formuluar në këtë mënyrë, gjithashtu, në asnjë rrethanë nuk legjitimohet përfshirja e zotit Aliebaj në shkrimin dhe hartimin e legjislacionit që mundësoi shpërthimin kriminal të Gërdecit.
Gjithë armiqtë e ministrit
Ka nisur prej kohësh një luftë e hapur mes institucionit të ministrit Alibeaj dhe Prokurorisë. Një konflikt që përfshin edhe të gjithë segmentet e tjerë të sistemit të drejtësisë, gjyqësorin, KLD-në, avokatinë, noterinë dhe përmbarimin. Një konflikt që ka për bazë tendencën e hapur të ministrit të Drejtësisë për vënien e tyre nën kontroll, të paktën sipas mendimit të këtyre segmenteve, por dhe të partnerëve të huaj që monitorojnë reformën në drejtësi. Vetë Alibeaj duhet të llogarisë dhe faktin që për një “kapriçio” të rastit, do të bëhet dhe vetë klient i këtyre institucioneve: do t´i duhet t´i përgjigjet ftesës për të dëshmuar në prokurori, do t´i duhet ndoshta të mbrohet përpara një trupi gjykatësish, do t´i duhet të prokurojë një avokat të zotin dhe duhet të mendojë më mirë sesi duhet të “noterizojë” dhe justifikojë autorësinë e tij për ligjet që hartoi për Gërdecin. LSI ka kërkuar deri dhe largimin e tij nga detyra, pritet kjo kërkesë të bashkojë të gjithë faktorët dhe aktorët e opozitës, por dhe “armiqtë” në radhët e “miqve” të tij në maxhorancë. Dhe duke perifrazuar një shprehje që ai lexoi në ceremoninë mortore të zotit Gazidede: “Zoti mori pranë vetes mishërimin e vlerave më të larta morale e hyjnore në oborrin e parajsës së vet elitare”, mund të thuhet pa frikë se “Prokuroria po mbledh pranë oborrit të saj të pasmë të errët gjithë elitën shtetërore që gatoi krimin e Gërdecit”. Një nga ta është dhe vetë Alibeaj, ministri me alibi të rreme.
Marrë nga revista “MAPO”
“Këshillova për ‘Gërdecin’, kishte vakum ligjor”
TIRANE – “Është një çështje që nuk duhet të diskutohet, as për një qytetar të thjeshtë e aq më tepër për një qytetar, i cili është në detyrën e ministrit të Drejtësisë”. Kjo ishte përgjigjja e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i pyetur dje nëse do të shkonte në Prokurori për të dhënë shpjegime rreth email–eve për çështjen “Gërdeci”. Duke vazhduar në këtë linjë, Alibeaj tha se çdo kush në këtë shtet, i cili pretendon të jetë nën mbretërinë e ligjit është jo vetëm i detyruar, por duhet të ofrohet për të dhënë sqarime ndaj çdo lloj procedure hetimore që mund të bëhej.
“Është kjo mënyra më e mirë për t’i dhënë, jo vetëm për të kuptuar, por edhe për të krijuar marrëdhënien e besimit që Prokuroria duhet të gëzojë ndaj publikut dhe kjo është çështje që është jashtë çdo lloj diskutimi. Mbi të gjitha ndaj ligjit dhe jo ndaj prokurorëve dhe Prokurorisë”, tha Alibeaj. Ndërsa i pyetur nëse kishte dhënë këshillë të gabuar Ministrisë së Mbrojtjes, Alibeaj u përgjigj se si jurist nuk ka dhënë mendime të gabuara. “Sepse në këtë rast puna që është bërë, është serioze. Më kujtohet legjislacioni në atë rast ka pasur mangësi, ka pasur vakume që duhet të plotësoheshin. Veprimtaria e një shteti duhet të ndërtohet mbi baza ligjore. Jo, nuk besoj se kam gabuar, do të jepja sërish të njëjtën këshillë”. Më tej Alibeaj u pyet edhe për ish-ministrin Aldo Bumçi, i cili është vënë para akuzave të opozitës mbi një shkresë që përmban mendimin ligjor të tij, që sipas opozitës solli tragjedinë e Gërdecit. Alibeaj pohoi se hetuesit ishin pritur në ministri në mënyrë miqësore, u ishin krijuar kushtet, komfortet për të ushtruar detyrën, për të kontrolluar praktikën dhe arkivin e institucionit. “Më lejoni që jo vetëm si ministër Drejtësisë, por edhe si jurist që njeh procedurën penale të mos jap as një lloj të dhëne më tepër, sepse është puna e Prokurorisë dhe Prokuroria duhet lënë e lirë, e qetë që të bëjë kontrollin e saj pa bërë të tilla pretenca ose sentenca publike. Nuk më rezulton që zoti Bumçi të mos jetë njohës i mirë i shtetit dhe ligjit”, përfundoi Alibeaj. fa.ma.
Ministri–Prokurori, Alibeaj pranon përplasjet për ligjin
TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pranoi dje përplasjet për ligjin për Prokurorinë, por sipas tij në të vërtetë nuk janë përplasje individësh, as mes ministrit dhe prokurorit, si dhe as midis ministrisë e përfaqësuesve ndërkombëtarë. “Përplasje ka pasur për arsyet e idetë dhe për konceptet që një ligj i tillë duhet të ketë dhe unë besoj që kemi arritur në masën më të madhe të zgjidhim në mënyrë të arsyeshme çështje konkrete konceptuale që një ligj i tillë do të duhet të përmbante që kohë më parë”, tha Alibeaj, i cili duke e quajtur sukses këtë ligj, tha se besonte se me bërjen e këtij drafti është arritur një triumf që nuk është i ministrit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, asistentëve ndërkombëtarë, por triumf i arsyes dhe i konceptit të respektit të qytetarëve, që çdo institucion, ashtu edhe Prokuroria duhet të ketë. Në fund Alibeaj tha se është detyrim kushtetues që ministri i Drejtësisë duhet të bëjë edhe ai një raportim mbi punën e vet në Kuvend në funksion të inspektimeve dhe kontrolleve që kryen në prokurori. f.m.
Prokurorët nuk shkelin në gjykatën e re
Një godinë 4-katëshe ngjitur me burgun 313 në Tiranë, projekt i Komisionit Evropian, ka përfunduar së ndërtuari prej disa ditësh.Destinacioni i këtij objekti kompleks, që lidhet me burgun përmes tuneleve nëntokësore, ku të akuzuarit kalojnë për në sallat e gjyqit, ka qenë funksionimi i përbashkët i Gjykatës dhe Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Përfundimi i punimeve në godinë konfirmohet prej faktit, se aty tashmë janë vendosur në zyrat e tyre gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit, për Krime të Rënda. Ata që nuk kanë shkelur në godinën e re, e cila ishte dedikuar për ta, janë prokurorët. Përfaqësuesit e akuzës për Krime të Rënda vazhdojnë të punojnë në zyrat e prokurorisë, ku ndodhen prej vitit 2004 kur filloi funksionimin Prokuroria e Krimeve të Rënda. Zyrat e tyre ndodhen në godinën ngjitur me Prokurorinë e Përgjithshme tek 9-katëshet në Tiranë. Projekti i Komisionit Evropian, me vlerë 10 milionë euro për ndërtimin e Gjykatës së re të Krimeve të Rënda, parashikonte, se aty do të akomodoheshin edhe prokurorët dhe oficerët e Krimeve të Rënda. Ishte vendosur prej muajsh një afat për këtë. Ky afat ishte 15 shtatori, por kanë kaluar plot dy muaj dhe prokurorët vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat ku kanë qenë. Ata përballojnë çdo ditë lëvizjet me makina në rrugët me trafik të Tiranës, për të shkuar brenda orarit në gjyqet, që zhvillohen prej mëse një muaji në godinën e re të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në këta muaj përplasjesh të dukshme dhe të padukshme mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë, edhe godina e ndërtuar me donacionin e Komisionit Evropian, ka qenë një prej konflikteve mes dy institucioneve. Shkaku kryesor ka qenë qëndrimi i ministrit të Drejtësisë për të vendosur në godinën e re, jashtë destinacionit të planifikuar të saj, Gjykatën Administrative. Një tjetër projekt jashtë destinacionit dhe planit të paracaktuar nga kontribuuesit, është aksioni i Ministrit të Drejtësisë për të vendosur në godinën e re të Gjykatës së Krimeve të Rënda, edhe Avokaturën e Shtetit. Të gjitha këto në një godinë që ishte planifikuar dhe financiar nga ndërkombëtarët si një objekt në shërbim të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Krimeve të Rënda. Disa shkresa janë këmbyer mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me godinën e re. Ministria ka lajmëruar përfundimin e saj, madje ka informuar për zyrat dhe ambientet në dispozicion të prokurorëve. Por Prokuroria e Përgjithshme nuk i ka urdhëruar ata të zhvendosin zyrat, për shkak se ambientet që u janë lënë në godinën e re, janë të pamjaftueshme. Futja jashtë parashikimit, e Avokaturës së Shtetit dhe Gjykatës Administrative me “veton” e ministrit të Drejtësisë, një gjest që mësohet se është kritikuar edhe nga ndërkombëtarët, ka lënë hapësira të pamjaftueshme për prokurorët, të cilët kanë preferuar të qëndrojnë në zyrat që kanë pasur, për kushte sa më normale pune. Një tjetër fakt është përfolja e të afërmve të ministrit të Drejtësisë Alibeaj, lidhur me barin që do të hapet në godinën e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që të shërbejë për punonjësit e këtij institucioni në mënyrë që ata të mos detyrohen për të dalë jashtë godinës. Sipas burimeve të informuara, personat që pritet të jenë pronarë të këtij bari me xhiro të lartë, mësohet se sipas planeve të deritanishme janë familjarë të afërt me ministrin e Drejtësisë. re.kr
Humbja 10 milionë euro
Ishte planifikuar që sistemi i drejtësisë të përfitonte nga programi IPA 2009 (Instrumenti për para-aderimin në BE) një grant prej 10 milionë eurosh, pjesa dërmuese e të cilit do të përdorej për ndërtimin e godinës së paraburgimit në Gjirokastër. Ky projekt është pjesë e masterplanit për gjithë sistemin e paraburgimit në Shqipëri, të identifikuar në vijimësi si një nga problemet më serioze për të drejtat e njeriut në vend. Trualli ku do të ndërtohej godina është siguruar, gjithashtu ishte garantuar edhe financimi i nevojshëm. Kështu ka qenë deri në takimin e fundit që autoritetet e ministrisë së drejtuar nga Alibeaj zhvilluan më 2 tetor të këtij viti me misionin e Brukselit. Si përfundim, BE, për shkak të ngarkesës së madhe negative që ministri ka krijuar me institucionet e pavarura, kryesisht me Prokurorinë, vendosi pezullimin e akordimit të këtij fondi.
Prokuroria sekuestron shkresat e Aldo Bumçit
TIRANE - Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, mbrojti gjatë ditës së djeshme edhe paraardhësin e tij në këtë post gjatë viteve 2005–2006, Aldo Bumçi, i cili gjatë ditës së djeshme u vu përpara akuzave të opozitës mbi një shkresë, mendim ligjor, që sipas tyre solli tragjedinë e Gërdecit. I pyetur nëse kishte vënë re ndonjë parregullsi në këto shkresa ministri Alibeaj, duke aluduar në “vizitat” që kanë kryer përfaqësuesit e hetimit në institucionin e tij, pohoi se: “Oficerë të policë gjyqësore janë pritur në Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë miqësore, u janë krijuar kushtet, komfortet për të ushtruar detyrën e tyre, për të kontrolluar praktikën dhe arkivin e Ministrisë së Drejtësisë”. Duke vazhduar Alibeaj tha: “Më lejoni, që jo vetëm si ministër Drejtësisë, por edhe si jurist që njeh procedurën penale të mos jap asnjë lloj të dhëne më tepër, sepse është puna e Prokurorisë dhe prokuroria duhet lënë e lirë, e qetë, që të bëjë kontrollin e saj pa bërë të tilla pretenca ose sentenca publike. Nuk më rezulton, që zoti Bumçi të mos jetë njohës i mirë i shtetit, dhe ligjit”, përfundoi Alibeaj. f.m.