Obama me hallë klandestine,Mekein me një mik vrasës
Vetëm dy ditë larg votimit për presidentin e ri në SHBA, të dy kandidatët po përballen me fakte të papritura, që rrezikojnë të ulin reputacionin e tyre. Për Barak Obamën, është zbuluar se një hallë e tij jeton në mënyrë ilegale në Shtetet e Bashkuara. Zbulimin e ka bërë agjencia prestigjioze, “Associated Press” në një qendër strehimi për emigrantët. Halla e Obamës, nga Kenia jeton në kushte modeste në një shtëpi strehimi në Boston, SHBA në mënyrë ilegale, pasi një juri emigrimi e refuzoi kërkesën e saj për azil katër vite më parë. Që atëherë ajo do të duhej të ishte larguar nga Shtetet e Bashkuara. Zeituni Onyango, 56 vjeçe, është gjysmë-motra e babait të Obamës. Lajmi është konfirmuar nga ekipi i fushatës së kandidatit demokrat, por edhe nga vetë Barak Obama. Kandidati demokrat tha se nuk e kishte fare idenë, se një nga kushërinjtë e tij jetonte në mënyrë ilegale në SHBA dhe beson se për këtë rast duhet të ndiqen ligjet e posaçme të vendit. Sipas një deklarate nga ekipi demokrat, “Senatori Obama nuk ka pasur dijeni për statusin e saj dhe kërkon, që për rastin të zbatohen rregullisht ligjet e posaçme”. Ndërkohë, kandidati republikan, Xhon Mekein po përballet me të tjera telashe. Ish-këshilltari i tij më i ngushtë deri katër vite më parë, është akuzuar se ka marrë pjesë në konspiracionin për të vrarë ish-presidentin brazilian të rrëzuar nga militantët, Joao Goulart, në statusin e kreut të CIA-s në Uruguaj. Ish-presidenti vdiq në vitin 1976 në rrethana misterioze. Njoftimin e ka bërë djali i presidentit. Bashkëpunëtori i Mekeinit, Frederik Valdo Latrash akuzohet për vrasjen e tij, pasi një juri në Porto Alegre, në kufi mes Brazilit dhe Uruguait, ka prova të forta se ish-presidenti është vrarë.
Sipas djalit të ish-kreut brazilian, Joao Vicente Goulart, “Mekein dhe Latrash ishin së bashku pilotë të Forcës Detare të SHBA-së: ishin shokë lufte. Latrash ka qenë në stafin e senatorit Mekein deri në vitin 2004”, ka cituar ai. Sidoqoftë të dy kandidatët janë të përgatitur për sulme të forta në ditët e fundit të fushatës. Amerikanët do të hedhin votën e tyre të martën, ndërsa dy kandidatët vazhdojnë fushatën e tyre në shtetet kyçe, që mund të sigurojnë fitoren për në Shtëpinë e Bardhë. Të dy kanë kritikuar politikat e njëri-tjetrit dhe janë zotuar për ndryshim, secili në mënyrën e tij.