E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama 15% për leje ndërtimi”

 

ALDO KOZARJA

Kryeministri Berisha, akuzoi dje sërish kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për korrupsion me lejet e ndërtimit. Duke folur nga Bradasheshi i Elbasanit, ku përuroi përfundimin e rikonstruksionit të shkollës “Evropa”, kreu i qeverisë tha se kryebashkiaku i Tiranës nuk jep leje ndërtimi për shkolla të reja, pasi në këtë sektor nuk përfiton gjobën prej 15 për qind që u vë ndërtuesve. Sipas tij, qeveria ka akorduar një shumë të konsiderueshme për shkolla në Tiranë, por që nuk janë përdorur nga kreu i bashkisë, pikërisht për faktin se vetëm nga ndërtimi i pallateve ai përfiton “gjobën” prej 15 për qind. “Ne kemi akorduar 2.2 miliardë lekë për 12 shkolla të reja në Tiranë dhe janë ndërtuar vetëm dy shkolla në periferi të saj, në një territor që nuk i përket Bashkisë së Tiranës. Kjo ndodh sepse ai mblidhte 15 përqindëshin për lejet e ndërtimit, por për shkollat nuk ka 15 përqindësh dhe prandaj ai nuk mund t’i ndërtojë. Qeveria nuk mund të paguajë gjë, ndaj zotëria i lë nga 40 nxënës në një klasë dhe jep troje për ata që paguajnë 15 përqindëshin. Pra, ekzistojnë dy praktika”, u shpreh Berisha. Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, kreu i ekzekutivit kritikoi edhe qëndrimin e kryesocialistit Rama, lidhur me liberalizimin e universiteteve. Sipas Berishës, me këtë politikë qeveria ka zgjedhur rrugën e Kristoforidhit, ndërsa Rama atë të Haxhi Qamilit. “Kryetari i Partisë Socialiste, i pyetur për arsimin, deklaroi, se nuk do të njohë diplomat dhe se hapja e dyerve të universiteteve qenka një hap për shndërrimin e tyre në rezervat të të papunëve. Le t’i themi këtij zotërie, se midis Kristoforidhit dhe Haxhi Qamilit, ti po zgjedh Haxhi Qamilin ndërsa ne po zgjedhim Kristoforidhin. Le të pyesë ai 65 mijë studentë, nëse është më mirë të ndjekin universitetin apo universiteti të mbetet një mollë e ndaluar për ta. Zoti kryetar me korrespodencë i Bashkisë së Tiranës, pyeti edhe familjet e tyre për këtë”, theksoi më tej Berisha. Në vazhdim të vizitës në Elbasan, Berisha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve për projektin e kanalizimeve, në fshatin Hajdaraj të Komunës Shushicë. Ky investim i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit arrin vlerën 240 milionë lekë. Sipas Berishës, qeveria është e vendosur të investojë për të ndryshuar Shqipërinë dhe jetën e qytetarëve të saj. “Ne besojmë se investimet janë rruga më e shpejtë dhe më e sigurt për të ndryshuar Shqipërinë. Ne nuk i kthejmë shpinën asnjë fshati, asnjë komune dhe asnjë zone. Ne investojmë të ndryshojmë Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›