Del karta e parë e identitetit në Vlorë, e merr nënkryetari i bashkisë
Në bashkinë e qytetit të Vlorës është dhënë dje, në mënyrë simbolike karta e parë e identitetit. Ai që ka aplikuar për ta marrë në dorë këtë kartë ka qenë nënkryetari i bashkisë, Halim Dervishi. Për të dhënë kartat e para të identitetit, në këtë zyrë ka ardhur edhe vetë prefekti i qarkut, Hasan Halili, i cili ka kërkuar përsëri prej qytetarëve të vijnë në këtë zyrë dhe të pajisen me këto karta dhe me pasaportat biometrike.
Në bashkinë e qytetit të Vlorës kanë aplikuar për marrjen e kësaj karte rreth 12 mijë banorë deri tani ndërkohë që dje kanë mbërritur të mbaruar rreth 6 mijë të tilla. Mirëpo edhe këtu problemet nuk mbarojnë. Zyra është e vetme me një hyrje ku është e vështirë të hysh ndërkohë që jashtë njerëz të shumtë presin në radhë për aplikim. Nga drejtues të kësaj zyre është bërë herë pas hera kërkesa për një ambient më të madh por nuk është marrë parasysh. Mirëpo këto ditë do të dyfishohen problemet sepse për të marrë në dorë kartën e plotësuar do të duhet përsëri të identifikohesh nga kjo zyrë përmes marrjes së shenjave të gishtave, një procedurë që kërkon minuta të tëra. Për këtë nga prefekti është kërkuar të ketë orar të veçantë për ata që aplikojnë për karta për të parën herë dhe orar tjetër për ata që vijnë për të marrë kartën në dorë. Punonjës të kësaj zyre ndërkohë ngrenë një problem tjetër, pa dashur të evidentohen. Kartat e mbaruara dhe të prura në këtë zyrë nuk kanë ndarje sipas listës së dërguar në qendër dhe kjo ka sjellë një amulli të plotë sepse midis atyre 6 mijë copëve të prurë deri tani është shumë e vështirë të gjendet menjëherë emrat e atyre që kanë aplikuar dhe që kanë ardhur të marrin këtë kartë. Edhe në dhënien e kartës së parë të identitetit, dje nënkryetarit të bashkisë u deshën minuta të tëra për ta gjendur.