E Diel, 1 Nëntor 2026

Del keq në provime, maturantja pi 50 tableta paracetamol

21/06/2011  Mjekët pak shpresa për jetën, vajza ishte në depresion për shkak të ngarkesës

DURRES- Fare pak shpresa kanë mjekët e Spitalit Ushtarak për të shpëtuar nga vdekja një vajzë nga Kruja, e cila ka pirë dhjetëra tableta paracetamoli. L. I. ka humbur ndjenjat rreth një orë pasi kishte konsumuar ilaçin duke shqetësuar deri në alarm prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes.

Tentativa

Burime policore thonë se L. I. ka marrë vendimin për t’u vetëhelmuar pas rezultateve të dobëta në mësime, të cilat janë shfaqur edhe në provimet e maturës. 18-vjeçarja kishte pësuar situatë depresioni për shkak të ngarkesës me provimet e maturës dhe ky fakt e ka shtyrë atë drejt një vendimi të rëndë për jetën. Burime nga policia thonë se L. I. ka pirë 50 tableta paracetamol nën dëshpërimin e thellë në të cilin e kishte shtyrë depresioni. Ndonëse rezultatet nuk janë bërë ende publike për provimin e Letërsisë dhe të Matematikës, 18-vjeçarja e ka marrë këtë vendim, duke konsumuar ilaçin në doza së paku 25 herë mbi normat e lejuara. Mjekët kanë thënë se pacienti për asnjë arsye nuk mund të konsumojë më shumë se 2 tableta paracetamol dhe në rast mosqetësimi duhet të kërkojë konsultën mjekësore. Vajza vijon të jetë nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe të një terapie intensive në Spitalin Ushtarak. Mjekët ende nuk kanë siguri nëse vajza e ka kaluar pragun kritik apo jo, ndërsa shpresojnë në përmirësimin e treguesve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›