E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numërimi i votave, përjashtohen dy vëzhguesit e PS

21/06/2011  Lulzim Basha ruan diferencën me rivalin e tij Rama me 79 vota më shumë

Ristani: Vëzhguesit e PS nuk dinë të respektojnë institucionin e KQZ-së

Fletët e hedhura në kutitë e gabuara nga votuesit më 8 maj vazhdojnë të kalojnë në sitën e KQZ-së për sa i përket vlefshmërisë së tyre. Vetëm ditën e djeshme janë hapur kutitë e votimit për dy njësitë bashkiake në Tiranë: atë numër 4, ku u numëruan 160 kuti të 43 qendrave të votimit, si dhe për 65 qendrat e votimit të njësisë nr. 5 do numëroheshin 220 kuti votimi. Nga numërimi i pasdites të votave në njësinë nr. 5 rezultoi se kandidati i mazhorancës Basha ka marrë gjithsej 4 vota kundrejt 3 votave të marra nga kreu i opozitës Rama. Diferenca e votave mes dy kandidatëve vijon të mbetet thuajse e njëjtë edhe pas numërimit të kutive të njësisë nr. 5, ku Basha ka ruajtur edhe gjatë ditës së djeshme avantazhin e tij ndaj rivalit Rama me 79 vota më shumë. Ndërsa në mesditën e djeshme përfundoi numërimi i votave të kontestuara në njësinë bashkiake nr. 4 të KZAZ-së nr. 48 në Tiranë. Në këtë njësi, pas hapjes së 160 kutive votimi, rezultuan një numër i barabartë fletësh të hedhura gabimisht, respektivisht 53 vota për kandidatin demokrat Lulzim Basha dhe 53 vota për rivalin e tij, kandidatin socialist Edi Rama

Vëzhguesit

KQZ-ja ka përjashtuar 40 minuta para mbylljes së mbledhjes së djeshme edhe një komisioner tjetër të PS-së pas përjashtimit të paradites së vëzhgueses socialiste Anila Çobani, e cila theu kutinë e votimit. Bëhet fjalë për përjashtimin e Altin Gjinit nga salla ku po vijonte normalisht numërimi i fletëve të hedhura gabim. Sipas kryetarit Ristani, komisioneri i PS-së është treguar i pasjellshëm në mungesë të plotë të respektit ndaj institucioneve. Komisioneri i PS-së dhe Ristani kanë debatuar mes tyre dhe menjëherë pas këtij debati kreu i KQZ-së ka kërkuar largimin e Altin Gjinos nga salla e mbledhjeve. “Detyra juaj është vetëm fletët në kutinë e gabuar. Po tregon mungesë respekti, nuk mund të jesh më numërues në atë tavolinë. Me atë gjuhë që flet duhet të largohesh. Dil përjashta (Altin Gjino largohet). Nuk merrem unë me rrugaçët që sillni ju këtu, dil përjashta me të gjithë rrugaçët që ke aty!” - tha Ristani. I menjëhershëm ka qenë reagimi i përfaqësuesve ligjorë të PS-së, të cilët kanë kontestuar përjashtimin e komisionerit të tyre. “U bë rasti i dytë që përjashtoni komisionerët e PS-së. Nuk e di sa korrekt jeni me ligjin. Është më e ndershme të thoni ‘nuk ju duam këtu’ e të vijoni maskaradën, sesa të na mbani këtu”, - tha përfaqësuesi i PS-së Genc Gjonçaj.

Numërimi në KQZ

Hetimi administrativ në ekzekutimin e vendimit të 13 qershorit të Kolegjit Zgjedhor përmes hapjes së kutive dhe numërimit të votave të hedhura gabim, por dhe këqyrja e fletëve të pavlefshme vijon në tryezat e KQZ-së. konkretisht që nga dita e shtunë, kur ka filluar ky proces maratonë, në KQZ janë numëruar përkatësisht kutitë e qendrave të votimit të njësisë bashkiake nr. 1, 2, 3, 4 dhe 5 në kryeqytet. Nga hetimi i tyre janë hapur deri mbrëmjen e djeshme 854 kuti votimi, nga 1793 të tilla. Nga këto 156 kuti i përkisnin ZAZ-së nr 45 në njësinë bashkiake nr. 1, për njësinë nr. 2 janë numëruar 201 kuti, për njësinë bashkiake 3 në Tiranë janë numëruar 117 kuti, për njësinë nr. 4 u numëruan 160 kuti. Ndërsa pasditen e djeshme, KQZ-ja ka vijuar me hapjen e kutive të 65 qendrave të votimit të njësisë bashkiake nr. 5, ZAZ-së nr. 49, ku u hapën 220 kuti votimi.

Deklarata e zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Olli hedh poshtë akuzat e PS: Është e pamundur të preken kodet e kutive

Zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli hodhi dje poshtë akuzat e ngritura nga PS-ja se kodet e sigurisë së kutive të votimit nuk rakordojnë me ato që po hap Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Kodet e kutive janë të sakta. Është e pamundur të preken. Nuk ka pasur asnjë ankimim për mospërputhje kodesh. Nëse do të kishte mospërputhje të kodeve, atëherë subjektet politike do të kishin bërë ankimim, gjë që nuk ka ndodhur. Kodi i 5-të i sigurisë është një kod që vendoset në komisionin e qendrës së votimit në përfundim të votimit. Dhe është pikërisht kodi që mbyll vendin e hyrjes së fletëve të votimit. Sigurisht që të ketë pasur problematika do të thotë se kjo qendër votimi të mos jetë marrë në shqyrtim nga ana e KZAZ-së respektive. Por pretendimi nuk ka të bëjë me përpunimin e këtyre kutive apo qendre votimi, por pas depozitimit të tyre në magazinat në Lundër. Dhe kjo është totalisht e pamundur të ndodhë, sepse kjo bazë e materialeve zgjedhore e cila është shoqëruar me procesverbalet respektivë, vjen në KQZ nën shoqërimin e kryetarit çdo KZAZ, nënkryetarit e sekretarin që u përkasin të dy forcave politike”, - sqaroi dje Olli, duke iu referuar debateve mes përfaqësuesve të opozitës në KQZ në lidhje me kodin 5.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›