E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat, Berisha PS-së: Ju propozoni, ne miratojmë

21/06/2011  Mazhoranca i shtrin dorën e bashkëpunimit opozitës

“Garantojmë plotësisht opozitën shqiptare dhe komunitetin ndërkombëtar se ne mbetemi të angazhuar për një hapësirë të plotë në reformën zgjedhore për t’u dhënë përparësi në këtë reformë propozimeve të opozitës për adresimin e rekomandimeve të OSBE–ODIHR-it”. Një garanci e tillë i është dhënë dje opozitës parlamentare nga kreu i mazhorancës Sali Berisha lidhur me ndryshimet në reformën zgjedhore. Gjithashtu, në po këtë linjë, kryeministri Berisha e vlerësoi si të mundshme votimin dhe numërimin elektronik të votave të zgjedhësve shqiptarë për garat e ardhshme elektorale.

Garancia

Gjatë takimit të përjavshëm të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kryeministri Berisha u ndal konkretisht te kjo pikë e nxehtë e debatit politik, ku ftoi opozitën të hartojë amendamentet, t’i dërgojë ato në Komisionin e Venecies e në Departamentin Juridik të OSBE–ODIHR-it. Ndërkohë që pas paraqitjes së këtyre propozimeve kreu i ekzekutivit garantoi se “kjo mazhorancë do t’i votojë pa asnjë kusht, pa asnjë koment. Mendoj se kjo është fryma e kompromisit maksimal, e koncesionit maksimal që i shërben vendit.” Në këtë mënyrë, duke kërkuar vendosjen e një ure dialogu me kampin opozitar, kryeministri Berisha i mëshoi me forcë faktit se mazhoranca parlamentare është e vendosur që në reformën zgjedhore përparësi të marrë opozita.

Propozimi

Në fjalën e tij përpara ligjvënësve demokratë kreu i kësaj force parlamentare, njëherësh kryeministër i vendit, Sali Berisha, u ndal dhe te një tjetër çështje e reformës zgjedhore, e pikërisht te mënyra e numërimit të votimit. Sipas tij, numërimi elektronik i votave do të ishte përgjigjja më e shkëlqyer e disa diskutimeve të panevojshme. “Qeveria është e gatshme të vendosë në të 4700 qendrat e votimit sistemin më të sigurt dhe më të mirë elektronik që ekziston në ndonjë vend. Njëkohësisht vendosja e sistemit elektronik do të bëjë të mundur që për Shqipërinë, për vendin e tyre, të votojnë edhe qindra e mijëra emigrantë shqiptarë, aksionerë me kontribut themelor në zhvillimin e këtij vendi”, - vuri në dukje Berisha. Kjo pasi, sipas tij, është në detyrimin e qeverisë që t’u krijojë mundësi atyre që të shprehin preferencën politike për vendin e tyre. “Uroj, dëshiroj dhe e ftoj opozitën që të marrë të gjithë rolin dhe peshën e saj në ushtrimin e pushtetit që i ka dhënë sovrani. Të gjitha kandidaturat me 3/5 do të jenë ekskluzivisht propozime të saj, pa një alternativë nga shumica. Në të gjitha ligjet me 3/5 do të ketë drejtën të bëjë të gjitha amendamentet që mendon se përmirësojnë standardet e tyre dhe mazhoranca t’i votojë”, - nënvizoi kryeministri Berisha. PS akuza të ashpra për kryeministrin dhe kreun e KQZ-së

Tahiri: S’do të lejojmë legalizimin e manipulimit

Me akuza të ashpra dhe me mesazhe paralajmëruese për mazhorancën qeverisëse është shfaqur dje Partia Socialiste. Deputeti i PS-së Saimir Tahiri gjatë deklarate për shtyp u ndal sërish dje te procesi i numërimit të votave që po zhvillohet në KQZ, ku ngriti shqetësimin e partisë që ai përfaqëson mbi sigurinë e kutive që po merr në administrim ky institucion. “Thuajse në të gjitha qendrat e votimit mungon kodi i pestë i sigurisë, ai që duhej të mbyllte hapësirën nga ku zgjedhësit kanë futur fletët e votimit, por që tashmë është lënë hapur për t’i hapur rrugë ristanizimit të kutive me vota shtesë për kandidatin e Saliut”, - vuri në dukje Tahiri lidhur me këtë çështje. Madje, duke vijuar në gjuhën e akuzave, deputeti i PS-së vlerësoi se “KQZ prej shumë kohësh nuk është më institucioni që duhet të administronte procesin zgjedhor me drejtësi, pavarësi e profesionalizëm, por është kthyer në bodrumin partiak të Saliut, ku gangsterë, rrugaçë e militantë të verbuar nga Arben Ristani i pari e të tjerët, të mbrojtur me lëkurën politike të Sali Berishës, marrin guximin të kërcënojnë familjarisht vëzhguesit e PS-së, siç ndodhi sot, t’i nxjerrin me dhunë jashtë KQZ”. Sipas tij, e gjithë kjo për të përmbushur vetëm një qëllim: të vazhdojnë të qetë seancat e turpit elektoral për të manipuluar vullnetin e qytetarëve të Tiranës, që deri në çastin e fundit të ligjshëm shpallte fitues Edi Ramën me 10 vota. Gjithashtu, duke argumentuar qëndrimin e PS-së, Tahiri solli në vëmendje disa nga shkeljet në këtë proces numërimi. “Në kutitë e njësisë bashkiake nr. 1 rreth 20 qendra votimi rezultojnë me më pak fletë se zgjedhës, 4 qendra votimi rezultojnë me më shumë fletë se zgjedhës, ku vetëm një qendër votimi ka plot 21 fletë më shumë se zgjedhës. Kuti të thyera e të çara, nga ku dalin vota të pafutura në asnjë zarf apo zarfi i fletëve të pavlefshme është zhdukur nga kutia. Fletë votimi të një qendre votimi që fluturimthi gjenden në kutitë e një qendre votimi tjetër, fletë votimi të gjetura në një kuti, të vulosura me vulat e një tjetër qendre votimi. Kode sigurie që janë tërësisht ndryshe nga ato që kanë vënë komisionerët apo kuti pa kode sigurie”, - u shpreh Tahiri, duke radhitur kështu një sërë shkeljesh. Po në këtë linjë, deputeti socialist shtoi se “arroganca e Ristanit nuk është ndryshe nga arroganca e Saliut për të manipuluar procesin zgjedhor dhe për të bërë me dhunë humbësin Lulzim Basha fitues me vota të vjedhura. Ky proces është ilegjitim, manipulativ e spekulativ e, si i tillë, nuk mundet dot kurrsesi të legalizojë vjedhjen e zgjedhjeve në tavolinën e pushtetit. Ne thjesht nuk do ta lejojmë.”

Kundërpërgjigjja e PD-së

Tabaku: PS s’po respekton vendimet e institucioneve

Partia Demokratike iu kundërpërgjigj dje akuzave të ardhura në adresë të saj nga kundërshtari politik. Në deklaratën për shtyp të PS-së ishte pikërisht kreu i mazhorancës që akuzohej se po vjedh votat në tavolinë të kryetarit socialist. “Të shtunën Edi Rama kërcënoi se do të bojkotojë Parlamentin, nëse KQZ-ja vazhdon procesin e urdhëruar nga Kolegji Zgjedhor pas ankesës që bëri vetë zoti Rama. Të dielën tha se KQZ-ja po vepron nën urdhrat e Berishës, ndërkohë që të gjithë e dinë se KQZ-ja po vepron sipas urdhrit që dha Kolegji Zgjedhor me kërkesën e bërë nga vetë Partia Socialiste”, - u shpreh zëdhënësja e shtabit elektoral të kandidatit demokrat për kryetar bashkie Lulzim Basha, njëkohësisht kryesuese e listës së PD-së për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku. Gjithashtu në emër të PD-së bëri thirrje që palët t’u përgjigjen deklaratave të ndërkombëtarëve për maturi. “Komuniteti ndërkombëtar po na kërkon të gjithëve që të sillemi me maturi dhe të presim përfundimin e procesit dhe respektimin e vendimeve të institucioneve. I vetmi që po kundërshton këtë është zoti Rama”, - tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›