E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Shqipëria nuk preket nga kriza e bankave

 

Fabiola Çela 

Bankat që operojnë në tregun vendas nuk do të preken nga kriza ndërkombëtare financiare. Këtë herë siguria vjen nga vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve, zyrtarë të FMN-së kanë deklaruar, se Shqipëria është një ndër vendet, që nuk preket nga kjo krizë. Kjo pasi sipas zyrtarëve të FMN-së, bankat që operojnë në Shqipëri nuk janë të ekspozuara ndaj instrumenteve financiare të ashtuquajtura ‘toksike’, që kanë qenë burimi i kësaj krizës ndërkombëtare. Por pavarësisht kësaj situate pozitive të sistemit bankar në vend, zyrtarët e FMN-së i kanë rekomanduar qeverisë shqiptare, që të marrë masat e duhura për të parandaluar çdo problem të mundshëm.
Kriza
Zyrtarë të lartë të qeverisë, por edhe vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë i kanë garantuar shqiptarëve se nuk do të preken nga kriza financiare ndërkombëtare. Gjatë një deklarate të dhënë pak kohë më parë kreu i BSH-së Ardian Fullani ka siguruar se bankat, që operojnë në tregun vendas gëzojnë ‘shëndet’ të plotë, pasi nuk janë infektuar nga kriza financiare ndërkombëtare. Sipas tij, sistemi ynë bankar nuk është i përfshirë nga produktet toksike të tregut amerikan apo të tregjeve të tjera. Sistemi bankar shqiptar është i sigurt, sepse siguria e sistemit bankar qëndron në parametrat e tij të kapitalit, të likuiditetit dhe të fitimit. Sistemi bankar shqiptar është fitimprurës, madje dhe parametrat e kredive me probleme janë brenda parametrave të përcaktuara ndërkombëtare. Gjithsesi, përballë një situate të tillë BSH, ka rekomanduar që të rritet vigjilenca dhe kujdesi nga ana e institucioneve financiare, për të ruajtur ekspozime sa më të ulëta në tregjet financiare ndërkombëtare, si edhe për të siguruar një veprimtari të mirëkapitalizuar dhe likuide.
Efektet
Kriza financiare ka dhënë efektet e para në vendin tonë. Bankat e nivelit të dytë kanë vështirësuar marrjen e një kredie, por edhe kreditë në valutë janë shtrenjtuar ndjeshëm, për shkak të rritjes së Euriborit norma e interesit për kreditë në euro. Sipas ekspertëve të ekonomisë kjo krizë pritet të ndikojë në ngadalësimin e tregtisë me vendet evropiane, në pakësimin e eksportimeve shqiptare, në fluksin e të ardhurave nga emigrantët, si dhe në pakësimin e investimeve të huaja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›