Del nga rruga makina në Vorë, vdes shoferi
26/04/2005 TIRANË- Lagështira në rrugë shkakton viktimën e tretë në kryeqytet tri ditët e fundit. Burime të Qarkullimit Rrugor thanë se një aksident automobilistik ka ndodhur dje në mëngjes në aksin rrugor Tiranë-Vorë, si pasojë e të cilit ka humbur jetën Arben Kryemadhi, i cili po udhëtonte me një makinë të tipit BMV me targa TR 7767 G, e cila ka dalë jashtë rrugës. Sipas hetimeve paraprake të zhvilluara nga një grup hetimor, mësohet se shkaku i këtij aksidenti është lagështira dhe shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte viktima. Tri ditët e fundit, në Tiranë kanë kumbur jetën 3 persona nga aksidentet. Fillimisht një 24-vjeçare, pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës rrëshqet dhe humb ekuilibrin. Një maune e merr nën rrota dhe ajo vdes tragjikisht. Ndërsa vogëlushi 6 vjeç, para dy ditësh, pranë hotel “Rogner” i shpëton nënës nga duart dhe një makinë e tipit “Benz” e përplas fort, ndërsa i mituri vdes rrugës për në spital.