E Hënë, 2 Nëntor 2026

Var veten mekaniku, djali e priste në dasmë

26/04/2005  Mister shkaku i sakrifikimit të 54-vjeçarit në ish-uzinën e autotraktorëve

TIRANË- Dy dasma njëra pas tjetës kanë qenë momentet e shfrytëzuara nga një 54-vjeçar, që në mungesë të familjes u vetëvar në dhomën e ndenjes. Riti i litarit në qafë dhe karriges aty pranë, është përsëritur për të disatën herë në metropolin shqiptar, ku mekaniku Pjetër Kola, 54 vjeç, i dha fund jetës, teksa djali i tij i dytë e priste në dasmë, ku ishte i ftuar. Një fëmijë i vogël, i dërguar nga djali i Kolës për ta lajmëruar, është përballur i pari me pamjet e llahtarshme dhe ka shkuar me vrap në gëzim për të dhënë lajmin e mortit. Tragjedia i përket familjes Kola, me origjinë nga Fushë-Arrëzi i Pukës e me banim në brendësi të ish-uzinës së autotraktorëve, në Shkozë, përkatësisht në ish-sektrin e kovaçanës. Pjetër Kola kishte varur veten me litar rreth mesditës të së dielës, pikërisht në momentin kur nga ana tjetër, diku rreth 40 metra më larg po shtrohej banketi i dasmës, ku ai ishte një ndër të ftuarit kryesorë. Arsyet e vetëflijimit ende mbeten të pazbardhura dhe misteri mbetet edhe për uniformat blu, të cilët thanë për gazetën se marrëdhëniet e tij me familjen ishin të mira. Këtu përjashtohen edhe shkaqet ekonomike, pasi njëri nga djemtë e tij jetonte më tepër jashtë shtetit, ndërsa Pjetri punonte në një ofiçinë aty pranë, bashkë me disa miq të tij. Pjesa tjetër e familjes merrej me biznes të vogël, pasi pranë shtëpisë ata kishin një dyqan të vogël ushqimor. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe ekspertë të Mjekësisë Ligjore, të cilët bënë të ditur se vdekja e tij ishte e menjëhershme, pas shtrëngimit të fortë të litarit.

Vetëvarja

Ka zgjedhur dy momente të gëzueshme për të sjellë në shtëpinë e tij një tragjedi të rëndë. Burimet e policisë thanë për gazetën se pas deklarimeve të familjarëve të Pjetër Kolës, ishte mësuar edhe momenti i vetëvarjes së tij. Sipas uniformave blu, bashkëshortja dhe djali i madh i Kolës kishin shkuar në një dasmë në Lezhë, ku ishin të ftuar si familje. Mirëpo, duke qenë se kjo datë përkonte me një dasmë tjetër, në ish-uzinën e autotraktorëve, çifti kishte vendosur që familja të ndahej përgjysmë, me qëllim që të mos mungonte respekti për të dyja familjet që kishin dasmë. Gjithashtu burimet e policisë e kanë mohuar mundësinë e ndonjë anomalie psikike dhe fizike të viktimës, ndërsa tashmë po hetohet paraprakisht rreth motivit të këtij akti. Mesditën e djeshme ai u përcoll nga të afërmit, mes lotësh për në banesën e tij të fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›