E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kontrolle në spitale për drogat që u shpërndahen pacientëve

26/04/2005  TIRANË- Drogat që shpërndahen në spitale për pacientët që kanë nevojë, do të kontrollohen rreptësisht nga Ministria e Rendit, ndërsa Pushteti Vendor dhe Ministria e Bujqësisë do të bashkëpunojnë me dikasterin blu për ndalimin e kultivimit të lëndëve narkotike. Në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Rendit përmendet fakti që, strategjia antidrogë, përveç planeve të organizuara nga specialistët, ka si prioritet edhe shpërndarjen e drogës në institucionet e legalizuara dhe kërkesën e llogarisë ndaj Pushtetit Vendor, rreth mundësisë së kultivimit të saj. Kjo strategji u miratua për vitet 2004-2010, me vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 07.05.2004. Kështu, Ministria e Rendit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë kanë nënshkruar më datë 13.04.2005 aktmarrëveshjen për forcimin e masave të kontrollit ndaj prekursorëve dhe drogave që përdoren në mjekësi, si dhe kanë bashkërenduar veprimet në planin e veprimit institucional të miratuar nga ministrat përkatës. Ndërkohë, sipas njoftimit të djeshëm për gazetën, më datë 18.04.2005, Ministria e Rendit Publik, Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit dhe Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, kanë nënshkruar aktmarrëveshjen e bashkëpunimit për të luftuar me efikasitet fenomenin e kultivimit të bimëve narkotike në territorin shqiptar. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, mbi bazën e këtyre dokumenteve mjaft të rëndësishme të zbatimit të strategjisë antidrogë, garantohet një bashkëpunim dhe bashkërendim i veprimtarisë institucionale, gjë që do të ndikojë në rritjen e efikasitetit të veprimtarive institucionale në fushat përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›