E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shoqërohen dhe keqtrajtohen në polici,Shtatë konviktorë të pedagogjikes

25/04/2005  Nxënësit e “Kristo Isak” denoncojnë policinë, kërkojnë largimin e kujdestarit

BERAT – Policia e Beratit ka shoqëruar për disa orë shtatë nxënës të shkollës së mesme “Kristo Isak”, të cilët i ka keqtrajtuar në dhomat e izolimit. Pas denoncimit të ngjarjes dhe reagimit të mësuesve, policia është detyruar të kërkojë ndjesë, ndërsa nxënësit këmbëngulin në largimin e kujdestarit të konviktit, si shkaktari i nxitjes së dhunës policore.

Janë shtatë nxënësit e konviktit të shkollës së mesme pedagogjike “Kristo Isak” të Beratit, Elton Bullari, Ervin Bendaj, Ervis Hajdari, Donald Lutaj, Aqif Cibraka, Dorjan Dokaj dhe Olsi Myftari, të cilët, pas një fikje dritash në konviktin e tyre, janë shoqëruar nga policia dhe janë mbajtur në dhomat e paraburgimit nga ora 20.30 e mbrëmjes së premte deri afër mëngjesit të ditës tjetër. Ndërsa janë lënë të lirë disa orë më pas, te nxënësit janë vërejtur shenja të dukshme dhune, të ushtruara nga policia.

Dhuna

Sipas tregimit të vetë nxënësve, mësohet se mbrëmjen e shoqërimit në polici, dikush nga konviktorët ka bërë një qark të shkutër dhe për momentin janë fikur dritat. Sapo ato janë ndezur, sërish një tjetër konviktor ka bërë të njëjtin ritual me dritat. Në këtë moment gjithë konviktorët kanë dalë jasht për të parë se ç’po ndodhte dhe pasi dritat u rikthyen, ata u qetësuan.

Sipas rrëfimit të njërit prej nxënësve të keqtrajtuar, Elton Bullari, mësohet se ky veprim revoltoi kujdestarin Pëllumb Dervishi, i cili menjëherë pas një mori sharjesh e mburrjesh lajmëroi policinë. Pas mbërritjes së policisë në konvikt dhe pas disa minutash bisedë me kujdestarin, menjëherë policët veçuan shtatë konviktorët.

“Pas kësaj nga ana e policisë filluan fyerjet e sharjet, ndërsa nuk munguan edhe goditjet me shqelma e grushta, në sy të kujdestarit, i cili pa e fshehur kënaqësinë nga kjo skenë qeshte. Ishte një dhunë e llahtarshme, sepse sa të linte njëri të godiste tjetri polic, ndërsa ne ishim të detyruar të qëndronim me fytyrë nga muri dhe me duar mbrapa. Po të lëviznim, ata na godisnin fortë ku të mundnin. Nga frika dikush nga ne filloi të qajë”, tregon Elton Bullari.

Denoncimi

Të nesërmen, shtatë konviktorët kanë shkuar në shkollë dhe gjthçka që ju kisht ndodhur ia kanë treguar mësueseve Armanda Mestani e Valbona Balla. Nga ana e tyre, mësueset kanë kontaktuar edhe me shefin e krimeve të Drejtorisë të Policisë së Qarkut të Beratit, Jashar Bakiu.

Nga ana e saj, polica fillimisht nuk e ka pranuar se shtatë konviktorët kanë qenë të shoqëruar në ambientet e policisë. Sipas të njëjtave burime, fillimisht u pohua se nxënësit as nuk ishin keqtrajtuar dhe se në polici i kishte çuar vetë kujdestari i konviktit, Pëllumb Dervishi. Sipas shefit të rendit, Bakiu, nxënësit, pasi janë pyetur, janë lënë të lirë. Bakiu ka mohuar edhe që në konvikt të ketë hyrë policia.

Por, me këmbënguljen e mësueseve Armanda Mestani e Valbona Balla, dje paradite një grup policësh, me në krye shefin e krimeve të të Qarkut të Beratit, Jashar Bakiu, kanë shkuar në shkollën pedagogjike, ku dhe kanë bërë një ballafaqim me nxënësit e keqtrajtuar.

Sipas dy mësueseve Armanda e Valbona, policët u kanë kërkuar falje nxënësve për ngjarjen e ndodhur dhe se kanë premtuar se një fenomen i tillë nuk do të ndodhi më në këtë konvikt.

Nga ana e tyre nxënësit i kanë kërkuar drejtorit të shkollës dhe nëndrejtoreshës të konviktir Fëllëza Hajdari që të merret masa ekstreme për kujdestarin e konviktit.

Rezarta Gjata

Donald Lutaj, nxënës i keqtrajtuar

“Nuk kursyen as këmbën time të thyer”

Donald Lutaj, nxënësi që nuk i kishte mbajtur dot lotët nga dhimbjet e dhunës policore, tregon se, megjithë “përgjërimet” e tij, se kishte këmbën e sëmurë, ata nuk e kishin kursyer, duke e detyruar të arrinte në prag të humbjes së ndjenjave.

“Megjithë ankesat e përgjërimet e mia, edhe në adresë të kujdestarit, tregon Donald Lutaj, ata nuk donin t’ia dinin. Sapo u ankova që të mos më qëllonin në këmbë se e kisha të mbërthyer me hekur, pasi një muaj më parë e kisha thyer, njëri prej tyre më goditi në kërci po të kësaj këmbe, saqë mua për pak sa nuk më ra të fikët dhe nga dhimbja dhe nga frika fillova të qajë”, tregon i përlotur Donaldi.

Pëllumb Myftari, babai i Olsit

“Do denoncoj në prokurori, policinë dhe kujdestarin”

Babai i nxënësit Olsi Myftari, 50-vjeçari Pëllumb Myftari, tregon se pasi kishte mësuar nga i biri se ç’kishte ndodhur, kishte marrë takim me drejtoren e Arsimit në rreth, Fatmira Mustafaj.

“Për këtë problem shkova te drejtoresha e Arsimit, Fatmira Mustafaj dhe ajo më rekomandoi që ta denoncoja policinë dhe kujdestarin. Jo vetëm kaq, por ajo më premtoi se do të merrte masa ekstreme për kujdestarin e konviktit. Tani më mbetet të shkoj te prokurori i rrethit dhe atje do denoncoj policinë dhe kujdestarin, sepse unë fëmijën e kam dërguar në shkollë për të mësuar dhe jo për ta torturuar dhe rrahur policia, se kështu dashka kujdestari”, përfundon Pëllumbi.

Dialog

Policët: Fshatar jeni

Konvktorët: Po

Policët: Ju duhet të ishit duke ruajtur lopët

Të keqtrajtuarit

Aqif Cibraka

Elton Bullari

Ervin Bendaj

Ervis Hajdari

Doland Lutaj

Dorjan Dokaj

Olsi Myftari

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›