Gërdeci, Luan Hoxha ka inspektuar punimet në fabrikë
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha, ka inspektuar punimet në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, pronë e një firme private shqiptaro-amerikane. Dje është zhvilluar seanca e radhës e çështjes “Gërdeci”, në të cilën kanë dëshmuar disa dëshmitarë të rëndësishëm. Begator Mane, administratori i një prej firmave të sigurimit që kanë operuar në fabrikë, tha se ka parë për inspektim ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. “Në fillim nuk e njoha, pasi ishte veshur me rroba ushtarake, por kur doli pyeta punëtorët dhe më thanë që ishte gjenerali Luan Hoxha. Hoxha erdhi në kohën që sapo ishin montuar makineritë dhe po bëheshin provat e para. Gjatë kohës në të cilën fabrika ishte nën mbikëqyrjen tonë, nuk kam parë ndonjë drejtues të lartë të ushtrisë përveç Luan Hoxhës”, tha dëshmitari. Gjithashtu, Begator Mane pohoi se në fabrikë gjatë gjithë kohës kishte shtetas amerikanë që mbikëqyrnin punën, ndërsa njëri prej tyre qëndronte gjatë gjithë kohës me Dritan Minxollin, duke marrë vendimet njëkohësisht. “Gjatë kohës që po provoheshin makineritë, u shkaktua zjarr dhe menjëherë për ta fikur atë u impenjuan shtetasit amerikanë”, pohoi më tej dëshmitari i akuzës. I pyetur nga Minxolli se kush merrej me shitjen e barutit, ai u përgjigj se “unë nuk e kam idenë se kush merrej me menaxhimin dhe shitjen e barutit, por një herë punëtorët më kanë informuar se ka ardhur një kamion belg dhe ka marrë një pjesë të tij”. Mane deklaroi se ka caktuar gjithmonë një person për të numëruar arkat e municionit që hynin në fabrikë, që të dinte gjendjen për të marrë masat dhe për t’ju përgjigjur firmës “Alb-Demil” për çdo problem që mund të kishte brenda territorit të fabrikës. Ai foli se një ditë kishte qenë me Minxollin në Rinas, për të parë disa kuti bosh. Dëshmia mund ta ndihmojë organin e akuzës për të zbardhur biznesin e fishekëve që është bërë gjatë kësaj kohe.
Dëshmitari i radhës në këtë seancë ishte Klodian Qefalia. Ai tha se kishte punuar në të dy proceset. “Numëroja municionet që vinin në fabrikë dhe i raportoja Seran Maçit. Punonim në grup prej katër vetësh”, pohoi Qefalia. Ashtu si dhe shumica e punëtorëve të tjerë, ai deklaroi se nuk kishte nënshkruar kontratë pune dhe nuk i paguheshin sigurimet shëndetësore. “Në punë më mori Seran Maçi dhe për çdo problem apo shqetësim kontaktoja me të. Punoja nga ora 20:00 deri në 08:00 dhe shkarkonim 20 kamionë në ditë. Paga ishte 600 dollarë në muaj”, deklaroi Qefalia. I pyetur nga prokuroria nëse e njihte Rrahman Selmanllarin, Qefalia u përgjigj se nuk e njihte dhe nuk e njeh. Gjithashtu në seancë morën pjesë dhe disa dëshmitarë të tjerë ish-punonjës të fabrikës. Ata theksuan se në punë i kishte marrë Minxolli, nuk kishin firmosur kontratë dhe nuk u paguheshin sigurimet shëndetësore. Disa dëshmitarë nuk u paraqitën gjatë seancës së djeshme, ndërkohë që seanca e radhës u la ditën e hënë, më datë 15 mars, ora 09:30.
#