Konsulli italian: Heqja e vizave nuk i lehtëson studentët
Konsulli italian në Shkodër, Stefano Marguçio, qartësoi dje se heqja e vizave për shqiptarët nuk do t’i ndryshojë rregullat për qëndrimin për arsye pune apo studimi në vendet e Bashkimit Europian. Gjatë një konference për shtyp, që kishte për qëllim prezantimin e aktiviteteve që do të zhvillohen në zonën e Veriut të Shqipërisë, në kuadër të manifestimit “Dy popuj, një det, një miqësi”, Marguçio foli dhe për heqjen e vizave, që sipas konsullit nuk sjell përfitime për studentët shqiptarë në Itali. Stefano Marguçio sqaroi se “nëse do të kemi liberalizim vizash, do të jetë i vlefshëm për vizat ‘Shengen’ të kategorisë C. Pra vizat që liberalizohen janë me afat të paracaktuar qëndrimi, jo më shumë se 90 ditë. Ndërkohë që vizat për studentët janë viza të kategorisë D. Bëhet fjalë për lejë qëndrimi me afat të gjatë dhe këtu nuk kemi liberalizim. Studentëve që do aplikojnë për universitetet italiane, do të vazhdojnë të jenë pjesë e vizave të tipit D, ku hyjnë dhe aplikimet për punësim në Itali, bashkim familjar, që cilësohen viza nacionale, ose me qëndrim më të gjatë se 90 ditë”, tha konsulli.
#