E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër kandidatë për postin e drejtuesit të Akuzës në Durrës

Zgjedhjet Këshilli i Prokurorisë: Altin Bino dy vota, Ardian Ylli dy vota, Përparim Kulluri një votë dhe Adnan Xholi një votë

Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme ka zhvilluar dje zgjedhjen e kandidatëve për postin e drejtuesit të Akuzës në Durrës. Në garë ishin 15 kandidatë, ndërsa në fund, me një votim të fshehtë, asnjë kandidaturë nuk ka dalë me votat unanime. Janë gjithsej katër emra që do t’i propozohen Kryeprokurores Ina Rama për kreun ri të Akuzës Durrës. Më të votuarit ishin drejtuesi i prokurorisë së Fierit, Altin Bino, dhe prokurori i Durrësit, Ardian Ylli, me nga dy vota. Ndërsa drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës, Përparim Kulluri dhe prokurori i Krimeve të Rënda, Adnan Xholi, kanë marrë nga një votë. Në votim kanë marr pjesë gjashtë anëtarët e këshillit, nga shtatë që ka gjithsej, pasi njëri prej tyre, pikërisht Kulluri, ishte kandidat për postin e kryeprokurorit të Durrësit. Sipas burimeve, emrat që kanë marrë vota i janë dërguar Kryeprokurores Ina Rama në formën e një rekomandimi, ndërsa vendimmarrja i takon pikërisht Kryeprokurores së Republikës. Aktualisht, postin e drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit e mban prokurori Bujar Sheshi, i cili është komanduar pas largimit të titullarit të mëparshëm, Arian Ndojës. Ky i fundit dha dorëheqjen disa orë para se akuza qendrore ta shkarkonte, pasi u gjet me shkelje në detyrë. Si rrjedhojë, funksioni i kryeprokurorit të Durrësit mbeti bosh dhe për këtë shkak, Kryeprokurorja Ina Rama komandoi përkohësisht në drejtimin e organit të akuzës në këtë qytet prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Bujar Sheshi. Hapja e “ankandit” për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Durrësit ka shfaqur interesin e prokurorëve nga i gjithë vendi. Këshilli i organit qendror të akuzës ka marrë në shqyrtim gjatë mbledhjes së djeshme plot 15 kandidatura. Mes tyre mësohet se janë prokurorë të Krimeve të Rënda, prokurorë të Prokurorisë së Shkodrës, Beratit dhe disa rretheve të tjera. Këshilli i Prokurorisë shqyrtoi rast pas rasti kandidaturat dhe në fund me votim. Megjithatë, fjalët për një paracaktim të titullarit qarkullonin dje në organin e akuzës qendrore. Një nga kandidatët mendon se politika ka “futur hundët” për paracaktimin e kryeprokurorit të Durrësit. Prokuroria e Durrësit konsiderohet si një nga institucionet më të rëndësishme të akuzës shqiptare pas asaj të Tiranës dhe Krimeve të Rënda, për shkak të numrit të popullsisë, figurave të kriminalitetit dhe përqendrimit të veprimtarisë ekonomiko-tregtare në këtë qytet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›