Qeveria, në konflikt me ndërkombëtarët
Partia Socialiste kritikoi sërish dje nismën ligjore të mazhorancës për ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Deputeti socialist, Eduart Shalsi, tha se PS-ja dhe partnerët ndërkombëtarë i kanë kërkuar Sali Berishës të rishikojë dhe të rikonceptojë projektligjin aq shumë të kontestuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, por ai me një kryeneçësi primitive vazhdon të ecë në udhën e tij pa të ardhme, duke dashur të rrëmbejë një tjetër institucion për të vendosur një kontroll mbi të gjitha institucionet. “Ndërkohë që Shqipëria ka nevojë për reforma, ligje dhe institucione demokratike në shërbim të qytetarëve, me projektligjin tashmë të miratuar në Komisionin e Ligjeve Sali Berisha rihap një plagë, nga e cila vuajtën të gjithë shqiptarët kur ai ishte President, plagë që e mbajnë mend mirë ende, SHIK-u famëzi”, deklaroi Shalsi.
Ai shprehu shqetësimin e PS-së, pasi me këtë ligj Sali Berisha na vendos edhe në një kontradiktë me partnerët tanë ndërkombëtarë, kontradiktë që do të jetë e pariparueshme, në rast se ai nuk do të tërhiqet nga qëllimet e tij ogurzeza. “Shqipëria e këtij dhjetëvjeçari nuk do t’ia falë Sali Berishës Kryeministër, pa legjitimitet moral, kthimin mbrapsht të historisë që ne do të donim të ishte arkivuar njëherë e përgjithmonë”, deklaroi ai.
#