Del për Shën Valentin,zhduket 17-vjeçarja
• ÇOROVODE - Zhduket prej ditës së Shën Valentinit 17-vjeçarja.Adoleshentja A.Kalemi është larguar nga shtëpia që nga mëngjesi i së enjtes, për të mos u kthyer në shtëpi deri në pasditen e djeshme. Vajza është banore e fshatit Mlovë, komuna Gjerbës e Çorovodës, e cila sipas familjarëve ka marrë lejë që mëngjesin e 14 shkurtit të dalë me shoqet. Pasi kanë pritur atë ditë dhe vajza nuk është kthyer, prindërit e saj i janë drejtuar policisë. Forcat e saj janë nisur drejt fshatit, 30 km nga Çorovoda, duke nisur kërkimet bashkë me familjarët e 17-vjeçares. Të dhënat e vajzës janë përcjellë nëpër pika të ndryshme të patrullave të policisë dhe qytetet fqinje, me dyshimin se vajza ka lëvizur në drejtim të zonave të tjera. Megjithatë, policia ka dyshuar se vajza mund të jetë larguar me të dashurin e saj, ndonëse familja nuk ka të dhëna për një person të tillë. Një tjetër dyshim është ngritur dhe për ndonjë aksident të mundshëm të saj gjatë kohës që ajo po kthehej në shtëpi, për shkak të terrenit. Kërkimet kanë vazhduar për gjetjen e 17-vjeçares, e cila nuk ka pasur asnjë komunikim me familjen që në momentin e largimit nga shtëpia në orën 09:00 të mëngjesit. d.xh