Përmbytjet, përplasje prefekt-komuna për vlerësimin e dëmeve

SHKODËR/ Krerët e komunave kanë kërkuar që banorëve që u janë përmbytur tokat të dëmshpërblehen. Prefekti Cungu: Do të presim specialistët!
SHKODËR - "Janë specialistët ata që do të shprehen nëse duhen ngritur komisione për vlerësimin e dëmeve të reja",- u shpreh dje prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, në përgjigje të kërkesës së kryetarëve të komunave për dëmet që shkaktuan përmbytjet e treta në qytetin verior.
Ndërkohë, në takim është deklaruar se sipërfaqja e tokave të përmbytura nga uji ka arritur në 1400 ha, ku shumë prej tyre ishin edhe të mbjella. Një debat u zhvillua dje në Shkodër midis krerëve të komunave të qytetit verior, si dhe prefektit Maxhid Cungu.
Drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore të cilat janë përmbytur për të tretën herë në katër muaj, kanë kërkuar ngritjen e komisioneve për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në përmbytjen e fundit.
Kërkesën e tyre kryetarët e komunave Berdicë, Bushat, Dajç e Ana e Malit e kanë mbështetur në faktin se këtë herë të tretë fermerëve u janë dëmtuar të mbjellat e bëra pas përmbytjes së dytë në muajin shkurt dhe bimët tani janë në një faze që uji i shkatërron. Lidhur me këtë, drejtori i bujqësisë dhe ushqimit në Shkodër, Guri Beshi, ka theksuar se në rast se bima qëndron 72 orë në ujë, ajo dëmtohet plotësisht.
Por kërkesa e kryetarëve të komunave të përmbytura të Nënshkodrës për ringritje të komisioneve që të vlerësojnë dëmin e ri të shkaktuar, nuk ka gjetur një përgjigje pozitive nga prefekti Maxhid Cungu, i cili ka theksuar se janë specialistët ata që do të shprehen nëse duhen ngritur këto komisione për vlerësimin e dëmeve të reja.
Sipas kryetarit të komunës Berdicë, Qamil Xhurreta, janë 230 ha tokë e përmbytur në këtë komunë, dhe në krahasim me një ditë më parë janë shtuar dhe 20 ha në Berdicë të Mesme dhe Beltojë.
Në Berdicë të Sipërme janë 170 ha tokë nën ujë dhe 72 banesa të rrethuara nga uji, në disa prej të cilave uji ka hyrë dhe brenda. Ai ka kërkuar praninë e një cisterne me ujë të pijshëm, pasi ujësjellësi për arsye sigurie është stakuar dhe pompat janë ngritur lart.
"Ne si komunë e kemi ngritur një komision për evidentim dëmesh, por është shteti ai që vendos për dëmshpërblimin. Kjo përmbytje ka sjellë dëme të reja, pasi shumë fermerë kanë mbjellë sipërfaqe toke nga ajo që kanë në pronësi dhe sot e kanë nën ujë",- ka thënë Xhurreta.
Për kryetarin e komunës Bushat, Zef Hila, duhet bërë një rivlerësim i ri dëmesh, pasi këtë herë në fshatin Kosmaç janë përmbytur 5 ha sera bujqësore, ndërsa herën e parë në përmbytjen e janarit ky fshat nuk ka qenë i përfshirë në vlerësimin e kompensimin e dëmeve. "Këto sera kanë të mbjella perime, tranguj, domate etj që kanë lidhur kokërr e tani janë nën ujë.
Lidhur me situatën në kullimin e mbrojtjen e tokave, drejtori i Bordit të Kullimit, Rudolf Rasha, ka kërkuar që shteti të investojë urgjentisht brenda këtij viti tre projekte emergjente, siç janë kanali që shkon deri tek Ura e Gjolulit, argjinatura e Dajçit dhe argjinatura e Darragjatit.
Për menaxhimin e situates është ngritur përsëri pranë prefekturës së Shkodrës qendra operacionale e ushtrisë, ndërsa shërbimet e policisë po mbajnë në kontroll akset rrugore me prani uji si tek rruga e Dajçit, Harku i Berdicës, Obot, Ura e Gjolulit. Ndërkohë, dje pasdite, në një takim të zhvilluar në Shkodër, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka mbështetur bërjen e një vlerësimi të dëmeve të reja të përmbytjes së tretë.