E Diel, 1 Nëntor 2026

Pengmarrësi i autobusit, mjekët: I trajtuar për skizofreni

Në Gjykatën e Fierit pritet sot të jepet masa e sigurisë për 32-vjeçarin. Vëllai: Eduarti nuk është njeri i dhunshëm


FIER - Eduart Rexhepi, 32-vjeçari i cili dy ditë më parë rrëmbeu një autobus të linjës Tiranë-Sarandë, ka qenë i shtruar në spitalin psikiatrik të Vlorës në vitin 2005 për tri javë me diagnozën e skizofrenisë. Kështu është shprehur drejtoresha e spitalit psikiatrik, Antonela Agaj, një ditë pas ngjarjes ku një person mori peng një autobus me gjashtë pasagjerë.


Sipas Agajt, 32-vjeçari ka marrë mjekim për tri javë në këtë spitali dhe më pas ka dalë në kemp duke marrë raportin si i paaftë në punë. Ndërkohë dje burime të policisë së Fierit bënë të ditur se pritej ekspertiza mjeko-ligjore për të vërtetuar gjendjen shëndetësore psikike të Eduart Rexhepit dhe në bazë të saj do të vendosej nëse 32-vjeçari do të dënohej për veprat penale të kryera. Mësohet se ndaj tij paraprakisht janë ngritur akuzat e "heqjes së lirisë së tjetrit", si dhe "shkatërrim i pronës".


Ndërkohë sot pritet që ai të paraqitet para togave të zeza, të cilat duke marë parasysh edhe raportin mjeko-ligjor do të shprehen nëse ai do të qëndrojë në burg apo do të shtrohet në spital si i papërgjegjshëm përpara ligjit për shkak të gjendjes psikike.


Ndërkohë, dje në spitalin psikiatrik të Vlorës është paraqitur vëllai i Eduartit, Spartak Xhaferri, i cili ka tërhequr dokumentacionin që disponon ky spital lidhur me të afërmin e tij. Duke justifikuar veprimin e të vëllait ai tha se Eduarti ishte një person që ka shfaqur probleme që prej vitit 2003 pas një aksidenti automobilistik. Gjithsesi ai mohoi që i vëllai të ishte një person i dhunshëm, duke kundërshtuar kështu fjalët e nënës së vet, që një ditë më parë deklaroi se ishte rrahur nga i biri shumë herë.


Spartak, përse keni ardhur sot në spitalin psikiatrik?


Ne kemi ardhur këtu në spital për të tërhequr dokumentacionin e tij dhe kaq.


Si e mendoni aktin e djeshëm të vëllait tuaj?


Për mendimin tim ai akt ka qenë i pavetëdijshëm, pasi unë si vëllai i tij kam disa ditë që kam qenë në kontroll të tij dhe e kam çuar për të bërë disa kura dhe gjilpëra. Për dje, ka qenë i pavetëdijshëm.


A ka pasur raste të tilla dhe herë të tjera?


Po, ka pasur dhe raste të tilla, por asnjëherë nuk ka qenë i dhunshëm. Ndoshta dje ka vepruar në mënyrë të tillë nga pasioni i tij për makinat. Ka dëshirë gjithmonë t'i shikojë e ndoshta kjo e shtyu të bënte atë që bëri.


A ka qenë i izoluar vëllai juaj dhe a përbënte rrezik?


Në ambientet e shtëpisë ai nuk ka qenë i izoluar, sepse nuk ka qenë agresiv. Mendoj se avancimi i sëmundjes ka qenë brenda këtyre ditëve të fundit. Ne madje kishim në plan ta sillnim sërish në Vlorë, për të rimarrë kurën.


Ai ka qenë i shtruar në spitalin psikatrik dhe përsa i përket vendimit të gjykatave, unë nuk jam ekspert jurist dhe nuk e di se si funksionon, por di të them se është i papërgjegjshëm para ligjit për diagnozën që ka. Pra, diagnoza e shkruan shumë qartë se ai është skizofren.


Eduart Rexhepi, nga Patosi i Fierit, rrëmbeu dy ditë më parë në Fratar të Fierit një autobus të linjës Tiranë-Sarandë me gjashtë pasagjerë në të, ndërkohë që pasagjerët e tjerë dhe shoferi kishin zbritur për të ngrënë.


Pasi ka ecur rreth 10 kilometra me frenat e dorës të ngritura autobusi ka marrë flakë dhe 32-vjeçari ka zbritur e po të njëjtën gjë kanë bërë pasagjerët e tjerë. Ai është arrestuar rreth 20 minuta më pas nga policia e Fierit, teksa i marrë në pyetje ka deklaruar se një veprim të tillë e ka kryer me urdhrin e Allahut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›