E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i NATO-s takon krerët e shtetit

Vizita

Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga Sergio De Gregorio, zhvilloi dje një takim me krerët më të lartë të mazhorancës në vend. Përveç bashkëpunimit të Shqipërisë me aleancën, delegacioni i NATO-s dha gjykimet e tij edhe për situatën politike në vend. Kështu, gjatë takimit që Kryeministri Berisha zhvilloi me delegacionin, përfaqësuesit e NATO-s i konsideruan zgjedhjet e mbajtura në vend si të mira dhe se askush në komunitetin e aleancës nuk dyshonte në legjitimitetin e qeverisë dhe Parlamentit shqiptar. Parlamentarët e vendeve të NATO-s ndanë të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha, se politika nuk mund të ndërhyjë në vendimet e gjyqësorit. Gjithashtu, ata theksuan se debati demokratik zhvillohet në Parlament dhe se bojkoti i institucioneve demokratike është një qëndrim i pakuptimtë. Gjithashtu, në takim anëtarët e delegacionit vlerësuan reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare edhe në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, në veçanti rezultatet në luftën kundër krimit e korrupsionit, reformat në fushën fiskale dhe të zhvillimit ekonomik të vendit, në sektorin e mbrojtjes. Po kështu, ky delegacion zhvilloi takime edhe me zëvendëskryeministrin Ilir Meta dhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›