E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoni: Ligji i SHISH-it bie ndesh me Kushtetutën

Deputeti socialist u bën oponencën disa prej amendamenteve të paraqitura nga qeveria

Partia Socialiste ka analizuar në detaje propozimet për ndryshimin e ligjit për funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror, duke dalë në përfundimin se janë të gabuara dhe antikushtetuese. Deputeti socialist, Ilir Gjoni, tha se këto ndryshime prekin katër nene thelbësore të ligjit aktual dhe konkretisht: detyrat e SHISH-it, ato të drejtorit të tij, statusin e drejtuesve, si dhe bashkëpunimin e këtij shërbimi me ato partnere. Lidhur me amendamentin e nenit 3, ku SHISH ngarkohet me detyrë të mbrojë sigurinë kombëtare, Gjoni thotë se është i gabuar dhe antikushtetues, pasi këtij shërbimi nuk i jepen mjete ligjore për një funksion të tillë. Gjoni tha se amendamenti tjetër i këtij neni, ku SHISH mbledh informacion për njohjen, zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike, është i panevojshëm, pasi ligji ekzistues nuk e pengon këtë shërbim të mbledhë informacion dhe të informojë për këtë lloj të veprimtarisë kriminale. “Një shtesë e tillë e deformon objektin e punës së SHISH-it, e zgjeron në mënyrë subjektive dhe artificiale, ngatërron kufijtë me shërbimet e tjera të parandalimit të krimit dhe i jep mundësi Kryeministrit që të rekomandojë subjekte të paracaktuara gjurmimi”, tha Gjoni.

Përveç kësaj, ai e vendos SHISH-in në pozita agresive me administratën publike, duke e vështirësuar aktivitetin e tij, realizimi i të cilit kërkon bashkëpunimin me këtë administratë.
Ai vërejti se propozimi tjetër, për t’u shtuar në paragrafin c të këtij neni, se SHISH ngarkohet me detyrë të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, për parandalimin e krimeve të rënda, është edhe më i panevojshëm, formal dhe me pasoja negative, pasi synon ta vendosë SHISH-in nën vartësinë e policisë. Gjoni tha se po kaq absurde është edhe shtesa në paragrafin d, ku SHISH ngarkohet të mbledhë me miratim të Kryeministrit informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera. “Edhe amendamenti ku SHISH-it i ngarkohet detyra të certifikojë personat, sipas përcaktimeve ligjore, është shumë i përgjithshëm e lë vend për interpretim të zgjeruar, bie ndesh me ligjin “Për informacionin e klasifikuar”, si dhe krijon paqartësi në shërbim, në publik dhe administratë”, vijoi ai. Gjoni tha se i paargumentuar dhe i pavend është edhe amendamenti i bërë në nenin pesë, paragrafi a, ku drejtori i SHISH-it është përgjegjës për operacionet e Shërbimit Informativ të Shtetit. Formulime të tilla, përveç të tjerash, tregojnë edhe inkompetencë të theksuar profesionale të hartuesve të këtij projektligji. Ai vlerësoi se vendosja e afatit të qëndrimit në detyrë prej pesë vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje edhe një herë të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it, tregon qëllimin e vetëm dhe të vërtetë të këtij projektligji, në plotësim të dëshirave të zotit Berisha.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›