E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i PE: Marrëveshja politike, hapa përpara

Parlamenti Europian mirëpret marrëveshjet e arritura mes partive politike në Shqipëri për sa i përket, reformës zgjedhore, reformës parlamentare dhe ligjeve që kërkojnë 3/5 në parlament.
Gjatë një takimi të delegacionit të PE-së të kryesuar nga Eduard Kukan me kryeparlamentaren Topalli, Kukan theksoi se marrëveshja e arritur mes dy forcave politike kryesore në Shqipëri për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar është një lajm pozitiv për Shqipërinë.
Sipas tij marrëveshja e arritur tregon se janë hedhur hapa inkurajues dhe konkret sa i përket përmbushjes së aspiratës integruese të vendit ndërsa ka kërkuar që kjo klimë të vijojë edhe më tej.
“Kemi ardhur këtu t`ju rikonfirmojmë se në Parlamentit Europian gjërat po lëvizin pozitivisht për Shqipërinë dhe jemi të gatshëm të kontribojmë që kjo atmosferë të vijojë në këtë trend pozitiv", ka theksuar Kukan.
Nga ana e saj kryeparlamentarja Topalli ka theksuar se ndihet e lehtësuar që klima politike në parlament tashmë është normale dhe se pas dy vitesh bojkoti opozita i është kthyer punës. Sipas saj pas dy vitesh bllokimi opozita po punon në komisionet parlamentare dhe po merr pjesë në votime në seancat plenare.
“Kemi miratuar 3 kode që kërkojnë 3/5-tat, kemi ngritur komisionin për reformën zgjedhore, ashtu si edhe grupin e punës për Rregullore, bazuar në rregulloren e Parlamentit Europian, me konsensusin e të gjitha palëve” ka theksuar Topalli.
Kryetarja e Kuvendit shtoi më tej se mazhoranca e ka autorizuar të mbështesë draft opinionin e përbashkët të OSBE ODIHR dhe Komisioni i Venecias mbi ligjin elektoral dhe praktikat elektorale. “Dua të besoj se opozita e vlerëson po ashtu” tha ajo.
Kryeparlamentarja Topalli konfirmoi se do të marrë pjesë personalisht në seancën plenare për këtë çështje në Komisionin e Venecias dhe do të mbështesë këtë draft opinion të përbashkët të këtyre dy institucioneve. "Ky është një qëndrim koherent i mazhorancës, i përsëritur shumë herë gjatë dy viteve të kaluara” ka shtuar ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›