E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi të rinjve: Rol më aktiv në shoqëri

Kreu i shtetit Bamir Topi ka uruar sot të rinjtë shqiptar me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë. Në fjalën e tij presidenti Topi i ka bërë apel të gjithë të rinjve për të pasur një rol më aktiv shoqëror, për t`u dëgjuar zëri i tyre në çdo aspekt të vendimmarrjes politike dhe të sfidave të përbashkëta shoqërore.
“Brezi ynë i ri është pasuria më e madhe që ne kemi, ndaj edhe shteti e shoqëria do të duhet që problematikat dhe interesat e tyre të shumta t`i kenë përparësi si investimi më i sigurtë për të sotmen dhe të ardhmen” ka theksuar Topi.
 

Duke bërë një bilanc të arritjeve të Shqipërisë nga lëvizja e dhjetorit 1990, presidenti Topi ka fajësuar politikën shqiptare e cila sipas tij nëse do të ishte udhëhequr nga parimet idealiste këto arritje do të ishin akoma më të mëdha.
 

“ Kam bindjen e thellë se ky bilanc do të kishte qenë edhe më pozitiv, se demokracia në Shqipëri do të kishte qënë edhe më e fortë dhe integrimi euroatlantik edhe më i shpejtë dhe i plotë, nëse klasa politike shqiptare e tranzicionit do të ishte udhëhequr në veprimet e saj nga të njëjtat parime idealiste dhe qytetare të Lëvizjes Studentore të vitit 90-të” ka theksuar Topi.
 

Ndërsa ka vlerësuar lëvizjen e dhjetorit të vitit 1990 për rrëzimin e sistemit diktatorial, Topi ka theksuar se kjo lëvizje mbetet një nga ngjarjet më kulmore në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

“Asnjëherë më parë nuk kemi pasur një lëvizje kaq elitare, përfaqësuese dhe idealiste, me një ndjenjë të lartë qytetarie dhe përgjegjegjësie ndaj vendit dhe fateve të tij. Ai brez pati kurajon t`i kundërvihej njërit prej regjimeve më staliniste në Evropë, pati mençurinë të shpaloste një program kërkesash politike thellësisht demokratike dhe evropiane, si dhe pati aftësinë të administrojë kontributet më të cmuara të mendimit liberal dhe intelektual të kohës. Nderimi ynë shkon sot tek të gjithë ata të rinj studentë që me 8 dhjetor ’90-të ndryshuan njëherë e mirë historinë e vetes, familjes dhe të mbarë Shqipërisë. Një nderimi i veçantë shkon për Azem Hajdarin, studentin udhëheqës të Lëvizjes Studentore, për Arben Brocin dhe emra të tjerë përfaqësues të kësaj lëvizjeje, që u ndanë nga jeta në përpjekje për të mbrojtur dhe promovuar parimet politike për të cilat u ngritën në Dhjetor ’90-të” ka theksuar Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›