Delegacioni kosovar, niset sot ne SHBA per takime

Prishtinë, 23 shkurt, 08:59, NOA - Autoritetet e Kosovës thonë se ende ka mundësi që Nënpresidenti Amerikan Joe Biden të pres lidershipit kosovar gjatë turit të tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Burime në Ministrinë e Jashtme kanë thënë se Shtëpia e Bardhë ende nuk është përgjigjur në kërkesën e bërë nga Ambasada e Kosovës në Washington, por se ka sinjale se z.Biden është i interesuar të takojë liderët kosovarë.
Biden, në cilësinë e atëhershme si kryetar i komitetit për punë të jashtme në Senatin e SHBA-së, ishte takuar me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi edhe gjatë vizitës së tyre në muajin korrik kur ishin pritur nga ish-Presidenti George W. Bush.
Shefi kosovar i shtetit, Fatmir Sejdiu, ka udhëtuar të premten. Fillimisht ai është ndalur në Londër ku Ambasada e Kosovës ka organizuar një pritje me rastin e njëvjetorit të pavarësisë.
Sejdiu do të jetë të hënën në Arizona ku nga Universiteti Shtetëror do të marrë një çmim për lidership ndërsa do të mbajë edhe një ligjëratë. Sejdiu ka qenë shumë kohë më parë pjesë e shkëmbimeve akademike në këtë universitet.
Më 26 shkurt, Presidenti do të bashkohet me Kryeministrin Hashim Thaçi, i cili udhëton për në SHBA të hënën, dhe me Ministrin e Jashtëm Skënder Hyseni.
Atë ditë ata do të zhvillojnë takimin e tyre të paraparë me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, për herë të parë.
Pas pritjes në Ambasadën e Kosovës me rastin e njëvjetorit të pavarësisë, Presidenti do të qëndrojë në New York prej nga do të arrijë në Kosovë vetëm më datën 3 mars.
Zëdhënësi i Presidentit, Xhavit Beqiri, ka thënë për Express se z.Sejdiu do të zhvillojë një seri takimesh me përfaqësues të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Intenca është që të organizohen sa më shumë takime me përfaqësues të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën në mënyrë që t’u kërkohet atyre ta bëjnë këtë”, ka thënë Beqiri. “Ndërkohë, do të ketë edhe përpjekje për të organizuar takime me zyrtarë të Kombeve të Bashkuara”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbështetësi vendimtar i kauzës së Kosovës për pavarësi.
NOA - INA