E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni shqiptar, KiE shkrin kredencialet

Votimi bëhet në seancën e sotme. Përnaska: Rama kishte telefonuar Andrea Gross

Delegacioni shqiptar mundi të ushtrojë të drejtën e votës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës pasditen e së martës, vetëm pasi drejtuesi i seancës lajmëroi vendimin e komitetit të rregullores mbi procedurat. Dje paradite në Strasburg është mbledhur Komiteti i Rregullores dhe Mandateve të Asamblesë Parlamentare dhe ka diskutuar çështjen e delegacionit të Shqipërisë, të cilit një ditë më parë i ishte hequr e drejta e votës. Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura dhe nuk ka pasur një shpresë zyrtare për këtë vendim, pasi gjithçka do të zyrtarizohet në seancën plenare të Asamblesë. Në këtë takim ka qenë prezent, deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska, e cila ishte përfaqësuese e delegacionit shqiptar. Sipas zonjës Përnaska, Komiteti i Rregullores ka miratuar pa asnjë problem kredencialet e delegacionit shqiptar, por vetë deputetja e Partisë Demokratike pranon se vendet e opozitës në këtë delegacion mbeten bosh. Sipas Përnaskës vendimi për rikthimin e të drejtave të plota u vendos me unanimitet dhe i pranishëm ishte dhe sfiduesi i kredencialeve, Andreas Gross. Përnaska sqaroi se Gross kishte treguar se ka marrë telefonatë nga Edi Rama, i cili e kishte dizinformuar mbi përbërjen e grupit. Sakaq, vetë Gross nuk pranoi të konfirmonte nëse ka folur apo jo me Ramën në telefon ditën që vendosi të sfidonte kredencialet e Shqipërisë. “Vendet e anëtarëve të PS-së janë trishtueshëm bosh edhe në këtë delegacion si në të gjithë delegacionet e tjera, dhe në këtë Asamble, sepse janë jashtë parlamentare, anëtarët e PS-së ose ato përfaqësuesit e zotit Rama. Duke qenë jashtëparlamentare nuk mund të njihen në një Asamble që ka përfaqësi pikërisht parlamentare të vendeve përkatëse, është shumë e thjeshtë çështja”, tha nga Strasburgu, Lajla Përnaska. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të votojë nesër në seancën speciale për Shqipërinë. Gjithçka ka ardhur pas shkresës së Topallit për të emëruar pjesëtar në delegacion deputetin e Partisë Socialiste, Kastriot Islami. Ky veprim është konsideruar i paligjshëm nga opozita, pasi vetëm grupi parlamentar i PS-së ka të drejtë të përcaktojë emrat e deputetëve që do ta përfaqësojnë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Dy ditë më parë, për propozimin e disa anëtarëve të Asamblesë u hoq e drejta e votës për delegacionin shqiptar deri në përcaktimin e plotë të kredencialeve. Gjatë seancës së ditës së nesërme, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të votojë në procedura të veçanta kredencialet e delegacionit shqiptar, dhe më pas rezolutën e paraqitur nga parlamentari finlandez, Jaakko Laakso dhe britaniku David Wilshire. Ditën e nesërme, në orën 15:30, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të mbajë një seancë speciale për funksionimin e institucioneve demokratike në vend, si dhe zbatimin e standardeve të KE-së nga Shqipëria. Në këtë seancë do të prezantohet një projektrezolutë nga dy reporterët për Shqipërinë, përkatësisht finlandezi Jaakko Laakso dhe britaniku David Wilshire. Në tekstin e këtij dokumenti theksohet se “komuniteti ndërkombëtar nxit me forcë qeverinë shqiptare dhe opozitën t’i japë fund krizës aktuale dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të proceduar me reformat vitale”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›