Kanuni, rifillon gjyqi për 56 shqiptarë
Itali
Tashmë akuzohen për “organizatë mafioze”. Më parë u dënuan bashkërisht 260 vjet burg
Rifillon një nga proceset më të rëndësishme ndaj një grupi kriminal shqiptar që merrej me trafikim prostitutash, shitje armësh dhe droge. çështja e ashtuquajtur “Kanuni” ka filluar gjatë ditës së djeshme në Gjykatën e Apelit në Xhenova, Itali. Në këtë proces gjykohen rreth 56 të pandehur me kombësi shqiptare. Këta shtetas shqiptarë akuzohen për trafik lëndësh narkotike armësh dhe për shfrytëzim prostitutash. Në proceset e zhvilluara më parë për këtë grup janë marrë disa vendime. Gjykata e shkallës së parë në “Kiavari” kishte dhënë një vendim prej 260 vjetësh burg për të gjithë të akuzuarit bashkë, por akuza e organizatave mafioze nuk ishte pranuar, por ishin cilësuar një organizatë e thjeshtë. Duke parë këtë vendim të gjykatës së Kiavarit çështja kaloi në Gjykatën e Apelit. Dënimi më i rëndë prej 30 vjetësh burg ishte dhënë ndaj kreut të organizatës Aleks Haki. Dënimet e tjera shkonin deri në 11 vjet maksimumi dhe rreth 2 vjet minimumi. Hetimet për rifillimin e çështjes u kryen nga policia e Xhenoas në bashkëpunim me Interpolin. Gjatë këtij operacioni u arrestuan rreth 164 shtetas shqiptarë. Në fillim për të akuzuarit ishte kërkuar deri në 500 vjet burg. Më vonë, gjatë zhvillimit të procesit, asnjë nga të akuzuarit nuk pranoi akuzën për një grup kriminal të organizuar. Në fund të procesit, gjykata vendosi që të mos merrte parasysh kërkesën e prokurorisë për grup kriminal të organizuar. Ndërkohë, tani që çështja ka arritur në Gjykatë të Apelit çështja pritet të ketë zhvillime të reja. Duke parë dhe numrin e të pandehurve, ky proces pritet të ketë një vëmendje shumë të madhe nga opinioni publik dhe mediatik në Itali.
#