“Shqipërisë mund të mbështetet plotësisht te përkrahja e Bullgarisë për në BE”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pret delegacionin e parlamentit të Bullgarisë
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në një takim delegacionin e Komisionit për Çështjet Evropiane të Parlamentit të Bullgarisë, kryesuar nga Mlladen Cervenjakov. Kryetari i Komisionit bullgar, Cervenjakov i shprehu Topallit vlerësimin e tij për hapat e shpejta të bëra nga Shqipëria në procesin e integrimit dhe reformat e mëdha të miratuara nga parlamenti shqiptar.
“Ne e shohim si shumë të favorshëm këtë moment për afrimin e Shqipërisë me BE-në, dhe për këtë mund të mbështeteni plotësisht te përkrahja e Bullgarisë”, tha Mlladen Cervenjakov.
Cervenjakov vlerësoi më tej se “rritja ekonomike në Shqipëri është tregues i një stabiliteti të fortë dhe do të dëshironim që në gjurmët e traditës së marrëdhënieve mes dy vendeve, të forconim bashkëpunimin ekonomik. Do të ishte në interesin tonë një rritje e numrit të investitorëve bullgarë në Shqipëri”.
Duke u ndalur tek vizita e fundit kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në Bullgari, Cervenjakov u shpreh se “kjo vizitë në ditën e ratifikimit të protokollit të NATO-s nga Bullgaria ishte shumë e frytshme dhe fjalimi juaj bëri një impresion të madh në parlamentin Bullgar”.
Më tej bashkëbiseduesit u ndalën në një tematikë mjaft të rëndësishme siç ishte projekti i Korridorit 8, si një nga projektet prioritare që do të sillte një zhvillim jo vetëm infrastrukturor por mbi të gjitha ekonomik për të gjithë tregun rajonal.