Delegati i FSHF-së gris flamurin kombëtar në Ballsh

Dje pas grisjes së flamurit
Nisja e takimit të djeshëm midis ballshiotëve dhe durrsakëve ka qenë mjaft e bukur, ku muzika dhe thirrjet e pranueshme sportive kanë mbizotëruar në shkallët e stadiumit. Si rrallëherë, dy tifozëritë janë përqafuar mes tyre dhe kanë mirorganizuar koreografitë. Mirëpo, gjithçka e bukur është prishur në pjesën e dytë. Pikërisht në këtë fraksion ndeshja është ndërprerë dy herë, për shkak të shpalosjeve të disa banderolave me karakter nacionalist. I deleguari i FSHF-së, Prek Pjetrushi, në këto dy raste është bërë protagonist i takimit, duke kërkuar që të hiqen banderolat “Mallakastra për bashkim kombëtar”, dhe më pas duke hequr dhe flamurin kuqezi, i cili kishte të shkruar emrat e qyteteve që ndodhen jashtë kufijve tanë si: Prizreni, Tivari, Struga, Tetova etj. Në minutën e 48-të të takimit ndeshja është ndërprerë për të hequr banderolën e parë të vendosur në pushim të ndeshjes, dhe më pas, rreth 5 minuta më vonë, delegati është ndeshur me fjalë banale me tifozët durrsakë. Si fillim ka shkuar dhe u ka kërkuar heqjen e flamurit tonë kombëtar dhe më pas i irrituar në kulm pas ofendimeve që po i bënin tifozët jo vetëm u ka kthyer reston, por edhe ka grisur vetë flamurin kuqezi. Ndërkohë, mësohet se pjesëmarrës në këtë takim kanë qenë edhe pjesëtarë të grupimit tifozerik “Tifozat Kuq e Zi”, të cilët janë pjesë e grupimit “Aleanca Kuq e Zi”. Kjo situatë ka irrituar jo pak drejtuesit e këtij takimi nga të dyja palët dhe vëmendja është transferuar nga fusha te shkallët e stadiumit “Adush Muça”. Duke mos i hyrë interpretimit të rregullores, nëse Pjetrushi kishte apo jo të drejtë për të hequr banderolën, e sigurt është se ai nuk kishte pse e bënte vetë një veprim të tillë, për më tepër, në mënyrë fare harbute. Një delegat ka të drejtën të bëjë kërkesën dhe janë punonjësit e stadiumit, apo forcat e rendit për të hequr banderolat. Nuk mundet të shkojë vetë delegati i Federatës dhe të grisë flamurin kuqezi para qindra tifozëve. Këtë mund ta bëjë vetëm nëse nuk njeh rregulloren e futbollit.