E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi nuk fiton dot as ndaj Atalantës

Milito humb penalltinë ndaj Atalantës

Interi nuk shkon më shumë sesa një barazim pa gola në fushën e vet ndaj Atalantës, duke komplikuar shumë edhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës e jo më në Champions. Nuk është reagimi që pritej nga një skuadër e lënduar dhe e bindur se mund të arrijë vendin e tretë. Disa lëvizje të tepërta të Zanetit në fushë, një penallti e humbur e Militos, disa goditje nga jashtë zone, shumë pak ritëm dhe një lojë jo e bukur. Ndeshja kundër Atalantës, specialiste kjo për barazimet, përfundon 0-0, mes një sërë dyshimesh për një penallti që nuk iu akordua bergamaskëve, pas një faulli të Lusios në dëm të Gabiadinit. Vrapi i zikaltërve drejt zonës së Europës nuk ka nisur mirë, ndërkohë që kanë mbetur vetëm 10 ndeshje nga fundi i sezonit. Përballë janë vënë dy skuadra me modul të njëjtë 4-4-2, por me një interpretim të ndryshëm nga njëra-tjetra. Interi ka luajtur me 2 sulmues, Militon dhe Pacinin, të cilët dialogojnë shumë rrallë, ndërkohë që në krahë janë parë Zaneti dhe Obi. Kolantuono ka zgjedhur Karrocën, shumë i shpërqendruar, në mbështetje të Marilungos, teksa në krahë kanë qenë Skeloto dhe Moralez. Në pjesën e dytë zëvendësimi i detyruar i Marilungos (futbollisti pati një problem në gju që mund të jetë serioz, e për rrjedhojë në vend të tij ka hyrë Gabiadini) dhe ato teknike të Ranierit (jashtë Milito dhe Obi, në vend të tyre kanë zbritur në fushë Zarate me Faraonin), nuk i kanë ndryshuar ekuilibrat taktikë. Gjatë 15 minutave të fundit të takimit ka qenë radha e Kastanjosit, mirëpo holandezi nuk ka bërë asgjë. Në pjesën e parë rastet më të mira për të shënuar kanë qenë të Interit, ndërsa Atalanta ka bërë vetëm një goditje me anë të Raimondit. Hulio Sezar nuk ka qenë i detyruar asnjëherë që të ndërhyjë për të shpëtuar portën, por e njëjta gjë s’mund të thuhet për Konsiljin. Gardianit të portës bergamaske i kanë filluar shqetësimet në minutën e 22-të: krosim i Obit, Pacini dhe Belini përqafohen, interisti përfundon në tokë poshtë mbrojtësit rival. Gava vërshëllen penallti për të zotët e shtëpisë, Milito kërkon të godasë në trekëndëshin e portës, por Konsilji e ka pritur topin. Kjo është penalltia e dytë radhazi që sulmuesi argjentinas ka gabuar. Ka qenë nga këndi pritja tjetër e portierit të Atalantës, pas një goditjeje me kokë të Samuelit. Më pas është ndalur edhe Pacini. Pjesa e dytë ka nisur sërish me Konsiljin protagonist ndaj një goditjeje modeste të Polit, pastaj janë mysafirët që trembin zikaltrit me Moralezin dhe Gabiadinin që godasin me kokë, por pret Hulio Sezar. Finalja e takimit është karakterizuar nga sulmet e vazhdueshme të interistëve, të cilët janë shfaqur pak të bindur dhe mjaft konfuzë.

Lacio në krizë
Lacio pëson humbjen e dytë radhazi në kampionat në stadiumin “Masimino” kundër Katanias. Vendësit fitojnë me rezultatin e ngushtë 1-0. Falë këtyre tri pikëve skuadra e Montelës kap kuotën 41, duke siguruar matematikisht edhe qëndrimin në Serinë A. Goli i vetëm u shënuan në minutën e 80-të, teksa Legrotaljie shfrytëzon mjaft mirë krosin e Lodit, duke e dërguar me të djathtën e tij topin në rrjetë. Për ish-mbrojtësin e Juves, ky është goli i katërt për këtë sezon. Gjatë minutave të fundit, tekniku i Lacios përjashtohet nga fusha për protesta.

Barazimi
Udineze ka barazuar 2-2 me Napolin, pasi kishte shkuar në avantazh të dy golave (Pinci 28′ dhe Di Natale 52′). Por, Kavani u kundërpërgjigj me dopietë në minutat 81 dhe 86. Në ndeshjet e tjera, Bolonja dhe Kievo marrin një barazim 2-2 në stadiumin “Dall’Ara” dhe me këtë rezultat shohin më pranë shpëtimin e sezonit. Ndërsa Leçe ka frenuar disi vrullin e saj për t’i shpëtuar zonës së ftohtë, teksa ka barazuar 1-1 me Palermon. Një hap të rëndësishëm ka bërë dje Novara, duke fituar 2-0 në Siena, ndërkohë, ajo që duket se e ka vulosur rënien në Serinë B është Çezena, e cila dje ka humbur 3-0 kundër Kaljarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›