E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani jashtë gare, Bylykbashi bëhet çështje

Nga Elton Karaj

Elbasani ka marrë një shuplakë mjaft të fortë në ndeshjen e së shtunës që shkoi, kur humbi me Luftëtarin, me rezultatin 2-3. Pas disfatës së parë në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, skuadra verdheblu i është larguar objektivit për kthimin në superligë, pasi rivalët nuk kanë falur. U duk sikur faza e dytë do të ishte ndryshe për Elbasanin, pasi në javët e para po luante mjaft mirë edhe në transfertë, por nuk ka ndodhur e njëjta gjë në Ruzhdi Bizhuta, ku në 3 ndeshje ka marrë vetëm 4 pikë.

Një ecuri negative kjo, duke ditur që fazën e parë kjo skuadër nuk la asnjë pikë në fushën e saj. Tashmë Elbasani është jashtë garës për kthimin në superligë, edhe pse kanë mbetur edhe shumë ndeshje. Humbja e fundit ka qenë fatale për verdheblutë, që janë më larg vendit të pestë. Një problem më vete është ai i Dorian Bylykbashit. Të gjithë e prisnin me padurim rikthimin e mesfushorit, por nuk ka ndodhur kështu.

Nga burime pranë skuadrës verdheblu është thënë se Bylykbashi nuk është ende gati të luajë, pasi nuk gëzon një formë të mirë, ndërkohë që nga burime pranë mesfushorit mësohet se ai ka qenë gati për ndeshjen me Luftëtarin. Gjendja e mesfushorit ka qenë mjaft e mirë dhe ai ka kërkuar që të jetë pjesë e skuadrës, por stafi teknik nuk ka qenë në një mendje me të, duke vendosur që të mos e aktivizojë.

Ky ishte shansi i fundit që Bylykbashi të jepte kontributin e tij për Elbasanin, pasi tani, ashtu si po shkojnë gjërat, vështirë që ai të luajë për skuadrën e qytetit të tij. Në këtë situatë, duket e pamundur për ta parë edhe një herë me fanellën verdheblu Dorian Bylykbashin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›