TICA shpall konkursin e artit bashkëkohor, fituesi shkon 6 javë në Nju Jork
Petrika GROSI
Një çmim modest, por njëherësh edhe joshës, për artistët e rinj të artit bashkëkohor, do të jepet së shpejti pas gjykimit nga juria të veprave të artistëve, të cilët do të marrin pjesë në ekspozitën e konkursit “Ardhje ‘08”. Gjashtë javë qëndrim në një rezidencë artistësh në Nju Jork, (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) është dhurata që shoqëron çmimin e parë të konkursit.
Pas një periudhe të ngjeshur kërkimi me vizita në studio, takime dhe pranime prezantimesh nga një numër i madh artistësh që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, stafi organizator i TICA, nën përkujdesjen e Edi Mukës dhe Joa Ljungberg, organizon ekspozitën "Pas çdo agimi, bota nuk është ajo e një dite më parë", me artistët në vijim: Enkelejd Zonja, Bevis Fusha, Elsa Martini, Genti Gjikopulli, Leonard Qylafi, Era Tula dhe Heldi Pema.
Me një mori qasjesh dhe interesash, artistët e ftuar do t'i japin jetë një ekspozite drithëruese që na sjell copëza poetike meditimi mbi realitetin përqark nesh. Subjektet ngjethëse dhe loja me dritën në fotot e Bevis Fushës, raportet e çuditshme arkitektonike të imazheve dhe shtëpive të Heldi Pemës, kërkimet vetjake të Elsa Martinit, fryma ekzistenciale në fotot e Leonard Qylafit, misteri i pikturave të Enkelejd Zonjës, klithma e heshtur e instalacioneve të Era Tulës dhe videot poetike të Genti Gjikopullit, do ta ftojnë shikuesin në përjetime të reja dhe meditime mbi realitetin e vrullshëm që na rrethon çdo ditë.
Ekspozita e çmimit “Ardhje” do të mbahet njëkohësisht në mjediset e Galerisë së Akademisë së Arteve të Bukura dhe galerisë “ZETA” në Tiranë. Juria ndërkombëtare, e përbërë nga Celia Prado, kuratore e Bienales së 5-të të Goteborgut, Roberto Pinto, kurator i pavarur, Milano, si dhe Gëzim Qëndro, kritik arti, Tiranë, do të shqyrtojë punët e paraqitura në ekspozitë dhe do të përzgjedhë fituesin e çmimit për Artin Bashkëkohor “Ardhje” 2008, i cili fiton të drejtën për të shkuar në Nju Jork për një pediudhë prej 6 javësh, në një rezidencë për artistë të ofruar nga Fondacioni për Shoqëri Civile. Për herë të parë këtë vit, çmimi “Ardhje" është i hapur edhe për studentë të vitit të IV të Akademisë së Arteve. Një risi tjetër është përpjekja për ta shëtitur ekspozitën në qytetin e Durrësit, me qëllim pasurimin e jetës kulturore në këtë qytet, si dhe hedhjen e urave të bashkëpunimit për të ardhmen. Mbështetës të këtij aktiviteti janë Akademia e Arteve në Tiranë, Fondacioni për Shoqëri Civile, Galeria ZETA, Tiranë, Ambasada Austriake, Ambasada Suedeze, Instituti Italian i Kulturës, etj.
29 Tetor 2008