E Diel, 1 Nëntor 2026

Delijorgji, akuza PS-PD në Kuvend

 

BLEDAR HOTI

Çështja “Delijorgji” rikthen debatet e ashpra në Kuvend mes maxhorancës dhe opozitës. Socialistët akuzuan Kryeministrin Sali Berisha se ka lidhje me biznesmenin Mihal Delijorgji, i cili aktualisht gjendet në burg për tragjedinë e Gërdecit. Deputeti i PS-së, Marko Bello deklaroi se “rasti Delijorgji është vetëm maja e ajsbergut të një fenomeni që ka prekur njerëz të politikës dhe medias, është rasti i tmerrshëm i kapjes së shtetit nga mafia, i kapjes së qeverisë, i disa strukturave të Prokurorisë, Policisë, Gjykatës”. Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri deklaroi se “në pikën 13 të rezolutës, Parlamenti Evropian i kërkon Kryetarit të Bashkisë, Edi Ramës, që të miratojë planin urbanistik të Tiranës”. “Nisur nga kjo unë bëj komente se ata i kanë thënë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës se ti je hajdut. Të më falin qytetarët shqiptarë për shprehjen, po ky është komenti real i kësaj rezolute. Ka 10 vjet që nuk miraton planin urbanistik, nëse do ishte në zbatim ai nuk do t’i jepte 18 leje ndërtimi Delijorgjit. Këta jeni ju, plani urbanistik nuk miratohet pasi është e vetmja mënyrë që Kryetari i Bashkisë ta trajtojë si çiflig të tij Tiranën”, tha Xhaferri. Ndërsa socialisti Taulant Balla deklaroi se “Topalli ka kërkuar zbardhje të lidhjes së politikanëve. shtypi dhe prokuroria ta kanë zbardhur, duke thënë se këshilltari i Berishës, eminca gri, Fahri Balliu është njeriu i lidhur drejtpërdrejt me Delijorgjin, duke implikuar kryeministrin Berisha dhe djalin e tij”. Ndërsa kryeparlamentarja, Topalli ka reaguar menjëherë duke deklaruar se “Rama ka të paktën të regjistruar 200 telefonata me Delijorgjin, ka një tjetër që ka 800 telefonata, ia kam kursyer emrin deri tani”. “Do t’i thuash kryetarit tënd se pse nuk ia përmend emrin Delijorgjit. Do t’i thuash kryetarit, pse i ka dhënë 30 leje ndërtimi, e pse nuk ia heq ato. Po të bëhet burrë njëherë e të flasë, e jo të nxjerrë Shalsin, zëdhënësen e pastaj ndonjë Shals tjetër, se me kë ishte në Kretë dhe kujt ia pagoi qëndrimin në Kretë. Je djalë i ri, të këshilloj, nuk shkon duke hedhur vrer çdo ditë e çdo sekondë kundrejt të tjerëve. Aq më tepër që ke fatin se je deputet i NATO-s, unë të uroj edhe ty edhe motrës tate, që të marrin të gjitha beneficet e të qenurit në NATO”, replikoi Topalli. Ndërsa deputeti i PD-së, Edi Paloka deklaroi se “do të paraqesë në grupin e tij parlamentar nismën për ngritjen e komisionit hetimor, për të vërtetuar arsyet se pse nuk është miratuar plani rregullues i Tiranës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›