E Diel, 1 Nëntor 2026

Fotot e atyre që luftuan më 7 prill

 

Ferdinand Dervishi

Dy apo tri ditë kaptuar 7 prillin 1939, ai nuk ka vrapuar të fiksojë në aparatin e vet fotografik trupat e rrëmujshme italiane që zbarkonin në Durrës dhe niseshin drejt Tiranës. Fotot e tyre nuk i hynin në punë. Fotot e tyre përbënin një fakt të njohur, të regjistruar në mijëra fotografi propagandistike, një fakt pesimizëmsjellës për shumicën e botës së qytetëruar, një fakt krejt të pavlerë. Fotografi që vlerësohet ndër më të mirët e të gjitha kohërave e kishte kuptuar se vlera e vërtetë e asaj që po ndodhte do të ishte gjetja dhe fotografimi i atyre pak shqiptarëve që i rezistuan sulmit. Kjo është historia e panjohur që sjellin të provuar imazhet e William Vandivert, fotografit të shquar të revistës së njohur amerikane LIFE, që në këto kohëra kishte bërë emër të padiskutueshëm mes mediave ndërkombëtare me të ashtuquajturën gazetari përmes ilustrimit (fotojournalism).
Ndërsa njerëzit në foto janë nga shqiptarët e pakët që luftuan, që qitën pushkë kundër trupave italiane më 7 prill 1939 dhe gjatë ditëve në vazhdim. Për t’i fokusuar në celuloid, amerikani i ka mbërritur ata mbase në fshatrat pas malit Dajt. Mbase duke përshkuar kilometra të tëra në këmbë, apo distanca që maten me ditë/rrugë. Ndërsa diçitura origjinale thotë: Një grup burrash që luftuan në Tiranë dhe kur çështja (fati i luftës) ishte e qartë, kaptuan katër male në vijë të drejtë të orientuar nga yjet, pasi nuk kishin hartë. (A group of men who fought at Tirana and when the issue was clear, walked over four mountain ranges in a direct line, by the stars, because they had no map). Ndërsa njeriu që i udhëhiqte, i vetmi i identifikuar me emër, ishte oficeri (sergeant) Stavri apo Stavro Bojaj (Stauro Boyaji) për të cilin diçitura e fotografit thotë: Serxhenti Stavro Bojaj, që luftoi në Tiranë. (Sergeant Stauro Boyaji, the sergeant who fought at Tirana). Në foto vihet re se një pjesë e shqiptarëve janë trupa të rregullta të ushtrisë, çka vërtetohet nga uniformat dhe armatimi si dhe shenja “Z” në kapelën e oficerit, ndërsa një pjesë janë civilë që kanë rrëmbyer armët. Pra amerikani i ka mbërritur, i ka fotografuar, kuptohet me lejen e tyre, dhe ka mundur të bisedojë e mësojë se ata kishin luftuar në Tiranë dhe se po largoheshin për t’i shpëtuar ndëshkimit nga fashistët. Një fakt tjetër jo shumë i njohur, nëse nuk do të ketë lidhje me rrethimin e sulmimin në Tiranë të Ambasadës Italiane, po në 7 prill, në të njëjtën ditë që në Durrës bëhej luftë. Pasi thuhet se Tirana është marrë pa luftë. Gjithsesi fotografitë e papërsëritshme, të parat e këtij lloji që botohen në shtypin shqiptar për këtë ngjarje, janë publikuar në revistën LIFE menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë nga fashistët italianë, duke i treguar gjithë botës një tjetër faqe, një tjetër të vërtetë. Një të vërtetë që thoshte se fashistët nuk u pritën aspak me lule nga shqiptarët.

Pensione të posaçme për 12 personalitete

Ata i takojnë atij brezi, që edhe pse punuan shumë, madje vazhdojnë të jenë ende aktivë, nuk u bënë dot kurrë të pasur. Janë 12 emrat e personaliteteve në fushën e artit, sportit, apo edhe mjekësisë, të cilët përfitojnë së fundi pension të posaçëm. Sot në orën 12.00, në një ceremoni të veçantë që do të zhvillohet në sallën "Tefta Tashko Koço", pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ministri Adrian Turku i dorëzon certifikatën e pensionit të posaçëm 12 personaliteteve, mes të cilëve spikasin emrat e regjisorit të sa e sa filmave artistikë, si "Koncert në vitin '36", "Vdekja e Kalit", etj., Saimir Kumbaro, aktorit Sheri Mita, etnokoreografit Ramazan Bogdani, komentatorit legjendar sportiv, zërit të ndeshjeve të futbollit, Ismet Bellova, mjekut dhe pedagogut Hektor Çoçoli, shkrimtarit Agim Gjakova, etj. Pas aplikimeve përkatëse, miratimit nga ana e Ministrisë së Kulturës, e cila ia propozon Këshillit të Ministrave, kjo e fundit ka firmosur vendimin që këta personalitete, për kontributin e shquar dhënë në fushat përkatëse, për vite me radhë, të përfitojnë një pension të posaçëm. Me pension të posaçëm kuptohet një shtesë mbi pensionin që ata marrin, si çdo shtetas shqiptar, në bazë të profesioneve përkatëse. Por kjo shtesë nuk duhet të kalojë shumën e dy pensioneve maksimale. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr 7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, shuma e pensionit që u takon sipas ligjit numër 7703, datë 11.05.1993, plus këtë shtesë, nuk duhet të kalojë dyfishin e pensionit maksimal. Edhe pse ceremonia e ndarjes së certifikatave, që përveçse një stimul material është edhe moral, për këto figura, nga MTKRS nuk jepet ndonjë informacion më i detajuar në lidhje me përfitimet konkrete të tyre. Kjo formë shpërblimi për personalitetet shqiptare në fusha të ndryshme, nuk është hera e parë që aplikohet. Mbi bazën e ligjit përkatës kanë përfituar artistë të njohur, këngëtarë, shkrimtarë, piktorë, re-gjisorë, njerëz të arsimit dhe shkencës, qysh në fillim të viteve '90. Vetëm në dhjetor të vitit 1994, kryeministri i asaj kohe, Aleksandër Meksi ka firmosur pensionin e posaçëm shtetëror për 136 personalitete të së gjitha fushave. Ndërkaq, ka vijuar kjo "traditë" me anë të aplikimeve, nga vetë të interesuarit. Në muajin gusht, të vitit që shkoi, përfituan nga ky shpërblim kompozitori i njohur shqiptar Agim Krajka, kontributi i të cilit është i njohur si në muzikën e lëhtë, ashtu edhe në atë popullore, shqiptare, dirigjenti, i cili prej 15 vitesh jeton në Angli, Eno Koço, artistja e cirkut, Vitore Sallaku, aktori dhe skenaristi i mirënjohur Bujar Kapexhiu, kritiku Adriatik Kallulli, operatori i shumë filmave shqiptarë, Ilia Terpini, piktori Namik Prizreni dhe Bardhyl Salillari. Për merita të veçanta, me firmën e kryeministrit Sali Berisha, pension të posaçëm ka përfituar edhe shkrimtari akademik, Dritëro Agolli dhe shkrimtari e politikani, Sabri Godo. Për të përfituar nga ky pension, duhet të përmbushësh, përveç kriterit moshë, edhe disa kritere të tjera, që lidhen me aktivitetin e tyre në fushat përkatëse, duhet të kenë marrë vlerësime, tituj, dekorata, etj. Mësohet se numri i aplikuesve, në pritje për të përfituar këtë pension është i konsiderueshëm.           Alma Mile

Përfituesit

Hektor Çoçoli, mjek
Munir Karagjozi mjek
Skënder Çiço mjek
Agim Gjakova shkrimtar
Saimir Kumbaro regjisor
Fatmir Frashëri sportist
Ismet Bellova komentator sportiv
Skënder Plasari skenarist
Sheri Mita aktor
Ramazan Bogdani etnokoreograf
Sabri Peqini sportist
Mirush Deliallisi sportist

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›