Rama në Kavajë: Ka ikur koha e bastioneve të majta e të djathta
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim në qytetin e Kavajës me rrjetin e vullnetarëve të bashkimit të ri për ndryshim të krijuar në këtë qytet. Duke folur para të rinjve në një nga bastionet e vjetra të Partisë Demokratike, Rama tha se ka ikur koha kur qytetet apo zona të veçanta dalloheshin si bastione politike. “Ka ikur koha kur qytetet dhe zonat e ndryshme të vendit, mund të shiheshin dhe trajtoheshin si bastione të majta apo të djathta, të një grushti politikanësh të majtë apo të djathtë, për interesa oborresh majtas ose djathtas. Ka ardhur koha, që çdo qytet, që çdo zonë e Shqipërisë, që çdo fshat i këtij vendi të jetë i qytetarëve dhe që politika të burojë nga bashkimi i qytetarëve dhe të jetë shprehje e asaj çka të zgjedhurit bëjnë për zgjedhësit dhe jo vetëm e asaj çka zgjedhësit bëjnë për të zgjedhurit”, tha Rama. Duke folur për Kavajën si bastion të PD-së, nga ku nisën lëvizjet demokratike, Rama tha se ky qytet është lënë krejtësisht në harresë nga e djathta në pushtet. “Politika e re e Partisë Socialiste, tha Rama, nuk konsideron asnjë qytet si bastion të një force politike apo të një tjetre. Partia Socialiste nuk i ndan qytetet dhe as njerëzit në të majtë dhe në të djathtë, por përkundrazi, kërkon një bashkim të të gjithë shqiptarëve kundër varfërisë dhe papunësisë”.