E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta: LSI mban premtimet, do hapim 100 mijë vende pune

 

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar takime të zgjeruara me të rinjtë dhe qytetarët e qytetit të Vlorës dhe Korçës. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili shoqërohej nga drejtues të lartë të kësaj partie dhe ata lokalë në qytetin e Vlorës, në fjalën e tij përpara mijëra qytetarëve që kishin mbushur Pallatin e Sportit, e ka cilësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO jo më një ëndërr, por një realitet me sfida të mëdha përpara. “Shqipëria në NATO nuk është më një ëndërr, por një realitet, i cili është meritë dhe kontribut mbi të gjitha e popullit shqiptar. Është merita juaj që keni mbështetur këtë rrugë, që keni kërkuar konsensus edhe kur politika ka qenë e përçarë, që keni përkuar gjithëpërfshirje edhe kur klasa politike është përpjekur të jetë përjashtuese”, tha Meta. Sipas tij, pas anëtarësimit, Shqipëria ka një sfidë të madhe përpara. “Shqipëria në NATO nuk është më një ëndërr. Tashmë ajo është një detyrim për t’iu përgjigjur sfidave që kërkon qenia anëtar i saj. Por, ne nuk kemi vetëm një ëndërr. Nuk kemi vetëm një aspiratë. Nuk kemi vetëm një qëllim”, u shpreh Meta. Duke përmendur sfidat që dalin para qeverisjes, por dhe politikës shqiptare, Meta tha se LSI është partia që di të mbajë premtimet e saj. Në këtë kontekst, Meta ka sjellë në vëmendje arritjet e qeverisë kur ai ka qenë kryeministër. 
“Unë nuk e konsideroj veten njeri të fjalëve të mëdha, por kam qenë, jam e do të jem njeri i fjalës së dhënë dhe i premtimeve të mbajtura, sepse besoj në forcën tonë të përbashkët, besoj në aftësitë dhe kapacitetet e shkëlqyera të mijëra shqiptarëve të aftë dhe të përkushtuar për të punuar për atdheun e tyre, sepse besoj në energjinë dhe pjekurinë e rinisë së shkëlqyer që kemi. Prandaj, unë besoj se koha e fjalëve boshe dhe e premtimeve të pambajtura po mbaron e se më 28 qershor do të fillojë një kohë e re. Koha e punës dhe e veprave. Sepse është koha për veprim”, u shpreh Meta. Sipas tij, “unë dhe bashkëpunëtorët e mi kemi një plan real, të mirëstudiuar dhe konkret për krijimin e 100.000 vende të reja pune në të gjithë sektorët, e veçanërisht ata që lidhen me agro-industrinë dhe agro-turizmin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›