Delijorgji paditet për dëmshpërblimet e Gërdecit
Avokati i Shtetit, po përgatit padinë ndaj "Albademil", për dëmin e shkaktuar nga shpërthimi në Gërdec vitin e kaluar
Pritet që kërkesa për dëmshpërblim e Avokatit të Shtetit të jetë në masën e 16 milionë eurove aq sa u vlerësua dëmi i shkaktuar
TIRANË- Paralelisht me çështjen penale ndaj 29 të pandehurve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, pritet të gjykohet nga Gjykata e Lartë edhe një padi civile në ngarkim të shoqërisë "Albademil" e drejtuar nga i pandehuri Mihal Delijorgji dhe kunati i tij, Dritan Minxholli. Kjo padi civile, ndodhet ende në përgatitje e sipër në zyrën e Avokatit të Shtetit, Eduart Halimi. Vetë zoti Halimi, për "Shekullin" konfirmoi se një grup pune po punon prej kohësh në përgatitjen e kërkesë padisë civile që shumë shpejt sipas tij do t'i dorëzohet Gjykatës së Lartë. "Prej disa ditësh, është formuar një grup pune nga ekspertët e Avokaturës së Shtetit dhe po punoj në përgatitjen e një kërkesë padie civile. Nuk është përcaktuar se ndaj cilit subjekt do të ngrihet, pasi kjo çështje është në diskutim e sipër mes ekspertëve për të përcaktuar përgjegjësinë juridiko civile të dëmit të shkaktuar në Gërdec",- tha kreu i Avokaturës së Shtetit, Halimi, për "Shekullin". Ndërkohë që burime të tjera kanë konfirmuar se bëhet fjalë pikërisht për shoqërinë "Albademil", të Mihal Delijogjit. Kjo kërkesë padi civile, mësohet se do të behët në seancën e parë gjyqësore që do të zhvillohet ndaj 29 të pandehurve të kësaj dosjeje, ku paralelisht me procesin penal do të gjykohet edhe padia civile, ku shteti kërkon që përgjegjësit e kësaj tragjedie të paguajnë dëmin material që qeveria ka paguar ndaj të dëmtuarve. "Kjo padi do t'i paraqitet Gjykatës së Lartë, në ditët e para të javës që vjen, pasi Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi dosjen penale me 29 të pandehurit në gjykatë sot (dje) dhe ne si institucioni i mbrojtjes së interesave shtetëror, do t'i drejtohemi me këtë kërkesë- padi gjykatës duke i kërkuar që personi apo subjekti juridik t'i paguajë dëmet e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec",- shtoi kreu i Avokaturës së Shtetit, Eduart Halimi. Sipas tij, shuma që do të kërkohet të paguhet nga përgjegjësit e këtij shpërthimi është vlera e dëmit e nxjerrë nga Prokuroria e Përgjithshme gjatë hetimit, dëm të cilin qeveria është detyruar të paguajë ndaj të dëmtuarve. "Vlera monetare që kërkohet të paguhet, është ajo e nxjerrë nga Komisioni i Vlerësimit të Dëmeve që prokuroria tashmë e ka bërë të ditur dhe që është rreth 2.2 miliardë lekë të reja, afërsisht 16 milionë euro. Kjo shumë tashmë është paguar nga autoritetet, ndaj të dëmtuarve nga shpërthimi. Nëpërmjet Avokaturës së Shtetit, autoritetet kërkojnë t'ua marrin këtë shumë personave apo subjekteve përgjegjëse të kësaj tragjedie",-tha Halimi duke nënvizuar se ky proces do të jetë paralelisht me atë penal. Sipas këtyre burimeve, mendohet se objekti i kërkesë padisë do të jetë ai i "shpërblimit të dëmit" ndaj institucionit shtetëror, të shkaktuar nga tragjedia e shpërthimit të rreth 700 tonëve barut në ish-repartin e tankeve të transformuar në një punishte demontimi të municioneve. Mësohet nga burimet e Ministrisë së Drejtësisë, se padia civile me shumë gjasa do të jetë e ngritur ndaj kompanive që kishin për detyre kryerjen e demontimit të municioneve "SAC-Albademil", që nga mos krijimi i kushteve të sigurisë në punë ka sjellë pasojat e shpërthimit. Për të gjitha dëmet e shkaktuara shtetit është detyruar të përgjigjet, por, këto para do të kërkohet t'i merren subjekteve kontraktuese të MEICO-së, që në rast mos pagimit të këtij dëmshpërblimi atyre do t'iu konfiskohen pasuritë e sekuestruara për të shlyer detyrimet ndaj shtetit.
PASOJAT
Sipas prokurorisë, nga hetimi 12- mujor i dosjes është provuar se ngjarja e 15 marsit 2008 ka shkaktuar vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31 personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë. Ndërsa, si pasojë e shpërthimit, në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore. Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak, i akt-ekspertimit kontabël të datës 16 prill 2008, të Entit Kombëtar të Banesave, kap vlerën e 2.039.216.418 lekë të reja apo rreth 16 milionë euro.
DOSJA
Bashkë me dosjen, prokuroria ka dorëzuar edhe listën e provave të gjetura prej saj gjatë hetimit një vjeçar
89 fashikuj të "Gërdecit", mbërrijnë në Gjykatën e Lartë
TIRANË- Dosja voluminoze e hetimit të tragjedisë së Gërdecit, ka mbërritur dje rreth orës 15:20 minuta, në Gjykatën e Lartë, pranë së cilës është parkuar një makinë e zezë e markës "BMW X5" me targa "false" që përdoret nga Prokuroria e Përgjithshme. Prej saj nga e cila janë shkarkuar në kryesekretarinë e gjykatës 89 fashikuj të dosjes hetimore për tragjedinë e Gërdecit. Një oficer i kësaj dosjeje, shoferi dhe "postieri" i prokurorisë për disa minuta kanë kryer punën e "hamallit" duke bartur dosjet hetimore të dorëzuar bashkë me kërkesën për gjykim dje pranë Gjykatës së Lartë. Në kryesekretarinë e kësaj gjykate, në një procesverbal të caktuar, kanë firmosur dorëzuesit dhe pranuesit e 89 fashikujve hetimore. Ata kanë mbajtur shënim të gjithë fashikujt dhe provat e dorëzuara pranë kësaj gjykate nga prokuroria. Mësohet se pas pranimit të dosjes penale, kryetarja e kësaj Gjykate, Shpresa Beça është e detyruar që brenda një afati 15- ditor ta hedhë dosjen penale me 29 të pandehur në short, për caktimin e pesëshesh gjykuese që do të shqyrtojnë këtë dosje voluminoze prej 8500 faqesh. Sipas burimeve nga prokuroria, vetëm kërkesa për gjykim mbart në vete rreth 100 faqe A4, e cila është përpiluar gjatë gjithë natës së enjte duke gdhirë e premtja, që pasditen e djeshme të dorëzohet pranë Gjykatës së Lartë. Sipas kërkesës për gjykim, 29 të pandehurve iu prin ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral-lejtnant Luan Hoxha duke u ndjekur më pas me ish-vartësit e tyre. Ndaj të pandehurve të kësaj dosjeje, rëndojnë akuza të ndryshme pasi në role dhe kohë të ndryshme të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një sërë veprash penale, nga ajo e "shkatërrimit të pronës"; "shpërdorimit të detyrës" edhe akuzën e "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personave" në bashkëpunim. "Nga hetimet e dosjes ka rezultuar se të pandehurit e kësaj dosjeje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por, në role dhe kohë të ndryshme, me veprimet dhe mos veprimet e tyre me dashje, kanë hartuar shkresa të paligjshme në respektim të zbatimit të urdhrave të kundraligjshme të firmosura nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, veprime këto që kanë faktuar një lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec",- thuhet nga burimet. Gjithashtu, këto burime theksuan se në punishten e çmontimit të municioneve në Gërdec, organizimi i punës bëhej duke u përqendruar në një numër të madh punëtorësh në një sipërfaqe shumë të vogël pune, çka ka cenuar kushtet e sigurisë teknike dhe kontrollin mbi procesin e çmontimit, që ka sjellë pasojat e shpërthimit të kësaj punishteje duke sjellë vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve të plagosur.
TË PANDEHURIT DHE AKUZAT:
1. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, "shpërdorim detyre" dhe "favorizim në tenderë"
2. Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, "shpërdorim detyre"
3. Agim Lala, ish-zv\Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, "shpërdorim detyre"
4. Shpëtim Spahiu, ish-Komandant i Forcës së Bashkuar, "shpërdorim detyre"
5. Zija Bahja, ish-komandant i Komandës Mbështetëse, "shpërdorim detyre"
6. Ramadan Tartari, ish-drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes, "shpërdorim detyre"
7. Ndue Marku, ish-drejtor i Harmonizimit të Legjislacionit, "shpërdorim detyre"
8. Ardian Mullahi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë, "shpërdorim detyre"
9. Adriatik Mema, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, "shpërdorim detyre"
10. Shkëlzen Madani, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit, "shpërdorim detyre"
11. Dashnor Çaushaj, kryetar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
12. Zenun Fero, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
13. Hysni Coçka, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
14. Hilmi Laçaj, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
15. Fari Toska, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
16. Rezart Tërshana, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, "shpërdorim detyre"
17. Besnik Dauti, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, "shpërdorim detyre"
18. Agim Babameto, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, "shpërdorim detyre"
19. Fiqiret Mato, drejtor i uzinës mekanike Gramsh për "falsifikim dokumentesh"
20. Lavdi Shatro, drejtor i Kombinatit Mekanik Poliçan për "falsifikim dokumentesh"
21. Gëzim Oshafi, anëtar i Komisioni të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
22. Denis Hajdari, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
23. Jorgo Mino, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
24. Fatbardh Kuçi, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
25. Juliana Margariti, ekonomiste, shefe finance tek "MEICO", "shpërdorim detyre"
TË PANDEHUR NË BURG
26. Ylli Pinari, ish-drejtori i MEICO-s, "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash"; "shpërdorim detyre" e "falsifikim të dokumenteve" në bashkëpunim dhe "shpërdorim detyre" nga Kodi Penal Ushtarak
27. Mihal Delijorgji, administrator i shoqërisë "Albademil", "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash" dhe "shkatërrim prone" në bashkëpunim
28. Dritan Minxholi, drejtor teknik i shoqërisë "Albademil", "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash"dhe "shkatërrim prone" në bashkëpunim
29. Sokol Ngjeçi, ish-inspektori i ndërmarrjes shtetërore "MEICO", "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash" dhe "shpërdorim detyre" në bashkëpunim