Delijorgji rrëfen Gërdecin në gjyq
Armand Bajrami
Gjykata e Tiranës i tha edhe njëherë “jo” dje kërkesës së Mihal Delijorgjit dhe Dritan Minxollit për gjykim me kohë të shkurtuar në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tyre në dosjen “Gërdeci”.
Kërkesa e ripërsëritur u shqyrtua në seancën e djeshme në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar si përgjegjës për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Sipas gjykatës, ndonëse dje avokatët ishin legjitimuar me prokurë të posaçme nga klientët e tyre për këtë kërkesë, ajo nuk mund të pranohej. Kjo pasi, gjykimi është hapur dhe momenti procedural për këtë kërkesë ka kaluar. Gjithashtu, sipas togave të zeza të pandehurit akuzohen për vepra penale të kryera në bashkëpunim dhe veçimi i dosjes do të sillte probleme në vërtetimin e akuzave. Në seancën e djeshme gjykata u njoh me parashtrimin paraprak të mbrojtësit ligjor të të pandehurit Mihal Delijorgji, avokatit Maks Haxhia. Avokati pohoi se Mihal Delijorgji ishte krejtësisht i pafajshëm në lidhje me çdo akuzë të ngritur nga prokuroria për përgjegjësinë e tij në shpërthimin e Gërdecit. Edhe pse fillimisht gjykata shtyu seancën për dy orë për t’u shprehur në lidhje me kërkesat e avokatëve, në vijim seanca u shty për ditën e hënë.
Rrëfimi i avokatit për Gërdecin
Avokati Maks Haxhia tha dje se në dosjen “Gërdeci” janë mënjanuar nga marrja si të pandehur përgjegjësit e vërtetë të ngjarjes. Sipas avokatit, ditën e 15 marsit 2008 në Gërdec shpërtheu 4 mijë tonë barut, i pa tërhequr nga firma që kryente procesin e demontimit të municionit në Gërdec, kompania amerikane SAC (Souther Ammunition Company). Duke shmangur çdo përfshirje të Delijorgjit qoftë në përgatitjen e bazës ligjore, përzgjedhjes së vendit, apo ndërtimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec avokati tha se: “Mihal Delijorgi ishte vetëm një biznesmen i kontraktuar nga SAC, për të marrë në Gërdec nga procesi i demontimit produktet metalike, predha, djegore dhe gëzhoja”. Sipas avokatit, SAC ishte përzgjedhur nga tenderi i organizuar prej strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes për demontimin pasi përmbushte kushtet e kërkuara. “Nga procesi i demontimit në Gërdec, kompanisë amerikane SAC i nevojitej vetëm baruti, i cili nëpërmjet trajlerve që vinin nga Izraeli, dërgohej për t’u shitur në Belgjikë”, u shpreh Haxhia. Avokati nuk pranoi dje të jepte parashtrime për shoqërinë “Albademil”, të pandehur në proces, pasi sipas tij, prokuroria duhet të merrte të pandehur ose Delijorgjin, ose shoqërinë e tij.