E Diel, 1 Nëntor 2026

Delijorgji, si i fitoi shtetit 1 miliard lekë në 9 muaj

Mihal Delijorgji ka arritur që në nëntë muaj të përfitojë nga shteti të paktën 1 miliard lekë të vjetra në formën e dëmshpërblimeve. Shuma e mësipërme del nga përllogaritja mbi shumën që presidenti i shoqërisë "Përparimi" i detyrohej avokatit të tij në vitet 2002-2003, Arben Hakani.

Një vendim i Gjykatës së Lartë me numër Nr.535, i datës 2 shkurt 2006, e ka detyruar Mihal Delijorgjin t‘i paguajë ish-avokatit të tij, Arben Hakani, një shumë prej 3.080.000 lekësh të reja dhe 3550 dollarësh. Shuma prej 3.080.000 lekësh të reja, apo 30 milionë e 800 mijë lekë të vjetra, përkon me 3 për qind të përfitimeve që shoqëria "Përparimi" ka pasur nga shërbimet e avokatit, që drejton studion ligjore "Hakani & Associates". Kjo tarifë është përcaktuar në kontratën mes Delijorgjit dhe avokatit Hakani dhe sipas përllogaritjes i bie që gjyqet e fituara t‘i kenë sjellë biznesmenit përfitime në shumën e 100 milionë lekëve të reja, apo 1 miliard lekëve të vjetra.

Gjyqet e fituara

Burime nga Gjykata e Durrësit saktësojnë për gazetën "Shqip", se gjatë viteve kur ka ushtruar aktivitetin e tij ekonomik në Durrës nëpërmjet shoqërisë "Përparimi", Mihal Delijorgji ka pasur një seri gjyqesh civile, kryesisht me doganën dhe me Tatim-Taksat. Në të gjitha rastet, biznesmeni nga Dropulli ka arritur të fitojë gjyqet, duke marrë mbrapsht shumat e parave apo mallrat që i janë bllokuar në momentin e padisë, si dhe interesat bankare të parave të bllokuara, apo dëmshpërblim për fitimin e humbur nga bllokimi i mallrave dhe aktiviteteve. Thuajse në të gjitha rastet, avokatët e Mihal Delijorgjit kanë arritur të rrëzojnë pretendimet e doganës dhe të Tatimeve, duke evidentuar parregullsitë e dokumentacionit të paraqitura nga këto institucione shtetërore. Burime jozyrtare nga gjykata bëjnë me dije se shuma reale e përfituar nga Delijorgji në formën e dëmshpërblimit, në harkun e kohor të tri viteve shkon deri në 250 milionë lekë të reja, apo 2,5 miliardë lekë të vjetra. Ndërkohë, nga vendimi i shkurtit 2006, i Gjykatës së Lartë, del se shifra e përfituar vetëm në periudhën gusht 2002-prill 2003 është rreth 1 miliard lekë të vjetra.

Gjyqi me avokatin

Në muajin prill të vitit 2003, Mihal Delijorgji zgjidhi kontratën me studion ligjore "Hakani & Associates", që drejtohet nga avokati Arben Hakani. Kjo kontratë porosie e titulluar "Marrëveshje përfundimtare për konsulencë dhe përfaqësim ligjor" figuron e lidhur midis studios ligjore "Hakani & Associates" të përfaqësuar nga Arben Hakani dhe shoqërisë "Përparimi" sh.a., të përfaqësuar nga Mihal Delijorgji, më 1 gusht 2002. Në këtë kontratë, ku palët janë quajtur përkatësisht konsulenti dhe klienti, është parashikuar dhënia e konsulencës dhe asistencës ligjore për një afat njëvjeçar. Pagimi i konsulentit është parashikuar me një shumë fikse mujore, ndërsa për proceset gjyqësore të përfunduara dhe të fituara, si dhe për ndjekje problemesh specifike të administrimit gjyqësor, shpërblimi i konsulentit është parashikuar në vlerën 3 për qind të shumës së përfituar nga klienti.

Por në momentin e zgjidhjes së kontratës, Mihal Delijorgji nuk pranoi të shlyente pagesën për më shumë se dy muaj, si dhe detyrimet që parashikohen në kontratë si "shpërblim i konsulentit" me 3 për qind të shumës së përfituar. Avokati Hakani paditi shoqërinë e Delijorgjit në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës, e cila më 4 qershor 2004 vendosi të detyrojë palën e paditur, shoqërinë "Përparimi" sh.a. që të paguajë shumën 3.080.000 lekë dhe 3550 USD, si detyrim kontraktor si dhe interesat bankare për këto shuma. Delijorgji apeloi vendimin, por gjashtë muaj më vonë, apeli vetëm sa uli normën e interesit për t‘u paguar. Në vitin 2006, çështja u shqyrtua në Gjykatën e Lartë dhe avokati Arben Hakani fitoi përfundimisht shumën e sipërpërmendur të parave.

Ortakët

Simandaris dhe Vllahojanis, partnerë edhe me qeverinë greke

Grekët që "fshihen" pas biznesit të Delijorgjit

Kompania "Përparimi" me seli në Shkozet të Durrësit, që thuajse monopolizoi tregun shqiptar të hekurit, ka një kapital grek prej 49 përqindësh. Ortakët e Mihal Delijorgjit janë drejtuesit e kompanisë "Mitileneo LTD", me seli në Athinë dhe me aktivitet në të gjithë Evropën Lindore.

Në vitin 1998, kompania në fjalë, arriti të privatizonte për një çmim prej rreth 20 milionë dollarësh, më shumë se 60 për qind të aksioneve të ndërmarrjes më të madhe rumune të përpunimit të metaleve. Buletinet ekonomike të kohës thonë se ndërmarrja rumune "S.C. SOMETRA SA - Copsa Mica" është një ndër më të mëdhatë në Evropë dhe blerja e aksioneve i siguron kompanisë greke "Mitileneo" një pozicion lideri në industrinë evropiane të përpunimit të metaleve.

Dy vjet më vonë, me afrimin e dy kompanive të vogla nën siglën e "Mitileneo group of companies", kompania në fjalë arrin të marrë 49,99 për qind të kompanisë shtetërore greke ALUMINIUM OF GREECE S.A. Janë pikërisht ortakët grekë Spiridhon Simandaris dhe Kostandin Vllahojanis, që figurojnë më pas si përfaqësues të "Felmont Trading Limited", që kontrollojnë gjysmën e kapitalit të "Përparimi sh.p.k.".

Janë këta njerëz që qëndrojnë që nga viti 1994 mbrapa aksioneve të suksesshme në biznes të djalit nga Dropulli, i cili u kthye në Shqipëri pas dy vitesh punë si hekurkthyes në Greqi.

Por, megjithëse në regjistrin tregtar, dy shtetasit grekë janë të regjistruar si ortakë në shoqërinë "Përparimi" që nga themelimi i saj, në dokumentin e regjistrimit të kësaj kompanie në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, Mihal Delijorgji figuron si pronar i vetëm.

Shembulli

Si manovronte Delijorgji për të përfituar nga shteti

Aftësia e Mihal Delijorgjit për të përfituar para nga shteti të lë me gojë hapur. Një çështje e shqyrtuar nga Gjykata e Lartë në shkurt 2007 e ilustron më së miri mënyrën se si bëhej "zhvatja" e shtetit, edhe pse kësaj radhe, Delijorgji mbeti "thatë":

Në vitin 2001, shoqëria "Përparimi" e Mihal Delijorgjit kishte kërkuar nga KESH-i furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike, duke lidhur një linjë direkte me nënstacionin. Por meqenëse KESH-i nuk kishte para për të kryer investimin, shoqëria ofroi si mundësi për zgjidhjen e problemit, pagimin e të gjitha shpenzimeve për furnizimin e objektit të saj me energji elektrike me fuqi 1450 kë. KESH-i dha lejen dhe në gusht 2001, nisën punimet për ndërtimin linjës së re. Në dhjetor, drejtuesi i shoqërisë "Përparimi" sh.a. mori në dorëzim objektin, pas kryerjes së Kolaudimit Përfundimtar dhe pas firmosjes së Akt-Kolaudimit. Por me të mbaruar punimet, shoqëria "Përparimi", e Mihal Delijorgjit, paditi Divizionin e Shpërndarjes të KESH sh.a. Tiranë dhe Zonën e Shpërndarjes Elektrike Durrës, duke kërkuar rimbursimin e shpenzimeve të kryera për shkak të "gjerimit të punës të së tjerëve" në shumën 6.720.000. Në mars 2005, Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës i dha të drejtë Delijorgjit, duke detyruar KESH-in të paguante shumën. Edhe Gjykata e Apelit e la në fuqi vendimin në nëntor të atij viti dhe Delijorgji do t‘i kishte marrë edhe këto 67 milionë lekë të vjetra, nëse çështja nuk do të kalonte në Gjykatën e Lartë, e cila më 22 shkurt 2007 i rrëzoi të dyja vendimet në favor të shoqërisë "Përparimi".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›