E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i pistoletave, refuzohet gjykimi i shkurtuar

Marrëdhëniet midis të pandehurve, gjatë kryerjes së veprës penale për të cilën ata akuzohen, nuk janë të qarta dhe për këtë arsye gjykata e sheh të nevojshme zhvillimin e shqyrtimit gjyqësor. Me këtë arsyetim, trupi gjykues i Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet ka refuzuar dje kërkesën e 4 të pandehurve të procesit të njohur me emrin "Cikloni 2", për shkak emrit të koduar të operacionit, nëpërmjet të cilit ata u vunë në pranga. Bashkim Dervina, Bujar Doku, Ardit Mana dhe Fillim Palushi janë duke u gjykuar për akuzat e "Trafikimit të armëve dhe municioneve më shumë se një herë dhe në bashkëpunim", "Prodhim dhe shitje narkotikësh", "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake". Një seancë më parë avokatët mbrojtës kishin kërkuar gjykimin e shkurtuar për klientët e tyre, por pa u shprehur për akuzën. Trupi gjykues, pasi e shqyrtoi kërkesën e bërë, vendosi ta rrëzojë atë, duke argumentuar se shqyrtimi gjyqësor është i nevojshëm për të sqaruar lidhjet e të pandehurve mes tyre, nisur nga fakti se njëri prej tyre pretendon se nuk i njeh fare të tjerët.

Gjatë operacionit policor "Cikloni 2", që u zhvillua në prill të vitit të kaluar, u sekuestruan 22 copë pistoleta, 20 prej tyre të tipit "Blow Mini", kalibër 6,35 dhe 2 copë të tipit "Bereta" të kalibrit 9 mm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›