Falsifikoi letrat, hetohet shefi i FK në Lushnjë
Operacioni i koduar "Pika e saldimit" ka bllokuar në qytetin e Lushnjës një automjet luksoz "BMW", me dokumente dhe numër shasie të falsifikuar, që ishte në pronësi të shefit të Klubit të Futbollit të Lushnjës. Sipas burimeve nga Zyra e Luftës Kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, mësohet se fillimisht ishte marrë informacion se shtetasi Ardian Prifti dispononte një automjet luksoz tip "BMW" me dokumente false dhe punonjësit e kësaj zyre kanë kryer bllokimin e makinës në ambientet e Komisariatit të policisë Lushnjë. Pas verifikimeve ka rezultuar se numri dy i klubit të futbollit të Lushnjës dispononte dokumente të falsifikuara të origjinës dhe kishte falsifikuar edhe numrin e shasisë së automjetit. Pasi ka kopsitur letrat, Zyra e Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në policinë e Fierit ka nisur dokumentet për hetim në Prokurorinë e Rrethit Lushnjë. Burime nga prokuroria pohojnë se janë duke hetuar rreth origjinës së këtij automjeti dhe mënyrës se si ka mbërritur në duart e këtij shtetasi. Burime të tjera informacioni pohuan për gazetën "Shqip" se i njëjti person ka qenë nën hetim edhe më parë për abuzime me shitjen e biletave të stadiumit "Roza Haxhiu".